E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më në rrezik nga trafikimi vajzat e varfra dhe ato me nivel të ulët kulturor

20/02/2005  WORKSHOP

SHKODËR - Ka vazhduar edhe dje Ëorkshopi për problemet e trafikimit ndërkufitar. Për të pranishmit ka referuar dje drejtuesja e shoqatës "Gruaja intelektuale shkodrane," Zenepe Dibra, e cila në fjalën e saj ka bërë të ditur se kjo shoqatë në bashkëpunim me "Dimension Human" janë duke kryer një sërë veprimtarish për problemet e trafikimit në zonën kufitare veriore me Malin e Zi dhe në atë verilindore me Kosovën. Veprimtaritë e tyre janë përqendruar në informimin e përgjithshëm për situatën në krahinat veriore dhe verilindore, sensibilizim në shkollat e mesme dhe konviktet e qytetit dhe të kumunave veriore, trajnimet me mësuesit etj. E rëndësishme ishte se për herë të parë po bëhej një studim i situatës së trafikimit në zonat veriore, duke marrë kështu një prognozë të përgjithshme të saj. Deri tani nëpër fshatra nuk ka aktivitete propagandistike jo vetëm për trafikimin, por edhe për probleme të tjera që shqetësojnë gratë dhe vajzat e këtyre komuniteteve. Në bazë të të dhënave të nxjerra nga këto shoqata më lehtë mashtrohen vajzat me nivel të ulët arsimor sesa ata me shkollë të lartë. Vajzat me nivel të ulët arsimor e marrin më me vështirësi informacionin dhe janë më të papërgatitura për t’u mbrojtur dhe për të kapur problemet. Në këto takime u arrit në konkluzionet se më tepër në kurthet e trafikimit bien vajzat që janë të varfëra ekonomikisht, nuk kanë mbështetje në familje dhe shumë prej tyre nuk kanë meshkuj në familje, janë me arsim të ulët, nuk kanë njohuri mbi trafikimin, janë shumë të pastra nga ana e ndjenjave e ndoshta për ta trafikanti është dashuria e parë, pas të cilit ajo gënjehet lehtë si dhe me vajzat e fshatit duhen bërë më shumë biseda, takime e trajnime. Tashmë pjesa veriore dhe sidomos verilindore nuk janë vetëm vende tranzite, por edhe vende burimi. Mënyra dhe kahja e lëvizjes së trafikimit ka ndryshuar, është sofistikuar dhe ka drejtimin Shqipëri-Mali i Zi dhe Shqipëri-Kosovë. Vendet burimore të trafikimit më të rrezikuara janë kryesisht Puka, Fushë Arrëzi, Kukësi dhe sidomos fshatrat e tyre. Fushatat e sensibilizimit me nxënës shkollash dhe veçanërisht me vajza në fshatra si dhe trajnime me grupe të ndryshme sociale si mësues, prindër, punonjës policie duhet të bëhen periodikisht dhe jo në mënyrë sporadike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›