E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komiteti i Pronave kërkon hartën e tokave të lira

21/02/2005  "Pronësi me Drejtësi" hedh dyshime mbi zonat e mbetura për kthimin dhe kompensimin

Anëtarët e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, i kanë kërkuar Ministrisë së Bujqësisë, paraqitjen e të dhënave mbi situatën e tokës në Shqipëri. Burimet kanë bërë të ditur se, pasi ekspertët e Ministrisë të paraqesin të dhënat, do të nisë dhe kalkulimi për tokën e mbetur të lirë. Kërkesa e Komitetit të Pronave, mësohet se është nisur menjëherë pasi ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë kanë bërë të ditur se në Shqipëri, janë 120 mijë hektarë tokë e lirë. Megjithatë, mësohet se nga Ministria e Bujqësisë, ende nuk është kthyer një përgjigje konkrete.

Debati

Deklarata për ekzistencën e 120 mijë hektarë tokë të lirë, ka sjellë një reagim të menjëhershëm të përfaqësuesve të ish-pronarëve. Burimet nga shoqata "Pronësi me Drejtësi", thonë se deklarata të tilla janë shumë abuzive, pasi nuk ka asnjë të dhënë konkrete. Madje, anëtarët e "Pronësi me Drejtësi" shprehen dhe për kontradita në lidhje me këtë çështje. "Pak muaj më parë ministria ka thënë se në Shqipëri janë ndarë 99 për qind e tokës. Tani, ose të dhënat se janë 120 mijë ha tokë nuk janë të vërteta, ose ka abuzime në qëndrime", shprehen krerët e kësaj shoqate. Madje, ata kanë theksuar se mundësia më e madhe, është që për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve, të përdoren toka të pafrytshme ose të refuzuara nga ndarja sipas ligjit 7501 për tokën bujqësore. Në lidhje me kompensimin në zonat turistike, krerët e "Pronësi me Drejtësi", theksojnë se në zonat preferenciale nuk ka toka shtetërore, ose këto hapësira janë të vogla, ndaj dhe nuk qëndron deklarata se ish-pronarët do të marrin pronat në këto zona. Shqetësimi i shoqatës "Pronësi me Drejtësi" shkon më tej, kur flitet për kompensimin monetar. Për ta, deri më tani nuk janë zbatuar afatet për shpalljen e akteve nënligjore, mbi nisjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Në këto akte përfshihet dhe fondi monetar, që deri më tani është dhënë në shifra tepër të ulëta. Duke parë këto pika, "Pronësi me Drejtësi" thekson se zgjidhja më e mirë e mundshme, është kthimi i pronës tek i zoti dhe garantimi i saj me ligj.

Kërkesa

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ka vendosur disa ditë më parë që të nisë një studim të ri për situatën e tokave të lira në Shqipëri. Një vit më parë është deklaruar se në vendin tonë janë dhe 133 mijë ha tokë e lirë. Por, duke parë se gjatë një viti qeveria ka marrë vendime për ndërtimin e fshatrave turistikë apo për ndërtime të tjera, është kërkuar rishikimi i kësaj harte. Ndaj, burimet thanë se i është kërkuar Ministrisë së Bujqësisë që të paraqesë zyrtarisht të dhënat që ka për ndarjen e tokave. Tashmë, pritet që ekspertët të paraqesin të dhënat konkrete, që do të bazohen në vendimet e komisioneve vendore si dhe në vendimet e qeverisë.

Kuvendi merr në shqyrtim metodikën e çmimeve të pronave

Kuvendi i Shqipërisë do të nisë sot diskutimin mbi metodikën e vendosjes së çmimeve të tokës, në procesin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve. Burimet kanë bërë të ditur se, së pari, debati do të hapet në Konferencën e kryetarëve ku do të kërkohet kalimi në procedurë të përshpejtuar. Vetëm pas kësaj, deputetët do të nisin shqyrtimet në komisionet përkatëse. Për këtë të fundit, ekspertët kanë sqaruar se do të jetë komisioni i ligjeve dhe ai i ekonomisë që do të vendosë mbi detajet e draftit. Forcat kryesore të politikës shqiptare kanë bërë të ditur se në vendimet që do të marrë parlamenti, nuk do të përfshihet çështja e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme, por do të jepen detajet mbi procedurën e kompensimit të ish-pronarëve. Ndërkohë, duke parë se në ligjin për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve janë vendosur afate konkrete, dhe deputetët nuk do të lejojnë që kjo çështje të shtyhet pa fund. Kjo, dhe nga fakti se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian po kërkojnë me këmbëngulje zgjidhjen e çështjes së pronave, konform kërkesave që rrjedhin prej konventave ndërkombëtare. Vetëm pasi metodika të përfundojë së diskutuari në Parlament, anëtarët e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të nisin studimin për çdo zonë të Shqipërisë, për të arritur në vendosjen e çmimeve sa më reale.

Në kuvend nis debati për çmimin e legalizimeve

Legalizimi i ndërtimeve të paligjshme, do të jetë dhe këtë javë debati kryesor mes forcave politike shqiptare. Shkak për këtë situatë, është bërë afrimi i afatit të fundit për vetë deklarimin e ndërtimit të paligjshëm me qëllim legalizimin. Tashmë, forcat kryesore të politikës, janë shprehur se do të ulin çmimin e truallit për efekt legalizimi, duke kundërshtuar kështu ligjin e miratuar vetëm pak muaj më parë. Madje dhe përfaqësuesit e LSI-së, janë shprehur se do të marrin inisiativën për të rrëzuar ligjin e miratuar në Kuvend mbi procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Megjithatë, do të jetë data 24 mars që do të japë konkluzionet mbi rregullimin e zonave informale në Shqipëri. Në rast se formularët e kërkuar prej bashkisë do të jenë plotësuar në masë të konsiderueshme, atëherë do të nisë dhe procesi i legalizimeve. Paralelisht me këtë, do të paraqiten dhe studimet për urbanizimin e këtyre zonave. Për këtë pikë do të kërkohet ndihma e donatorëve si dhe do të përdoren fondet që do të krijohen nga legalizimi i ndërtimeve të paligjshme. Gjithsesi, do të jetë vendimi i parlamentit mbi çmimin që do të paguajnë banorët e zonave informale që do të sqarojë dhe koston e ngritjes së infrastrukturës së nevojshme për jetesë në këto zona. Por duke parë se banorët e këtyre zonave janë kthyer në votues, dhe fatura që ata do të paguajnë do të jetë më e vogël.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›