E Hënë, 2 Nëntor 2026

“’Vlora’, peng i piratëve,bashkëhort im është gjallë”

20/02/2005  Rikthehen shpresat për fatin e peshkarexhës e të ekuipazhit të saj. Flet bashkëshortja e mekanikut

DURRËS – Anija “Vlora” e zhdukur që prej datës 20 dhjetor, mund të jetë marrë peng. Dyshimet për këtë i ka bërë të ditura dje në një intervistë për gazetën “Metropol”, Anila Saliu, bashkëshortja e mekanikut, njërit prej ekuipazhit të kësaj anije. Jo vetëm kaq, por ajo këmbëngul se bashkëshorti i saj është gjallë dhe se dy numrat e celularit, një italan e një shqiptar, ende janë të aktivizuar. Anila tregon se nuk ka reshtur se rëni numrit të

telefonit të Arturit, me të cilin kishte biseduar edhe mbrëmjen e 20 dhjetorit, një orë para se të jepej alarmi i zhdukjes së tre marinarëve dhe anijes “Vlora”. Shpresat e saj janë rizgjuar në mesin e muajit janar dhe janë përforcuar tri ditë më parë.

Ju pretendoni se Artur Saliu, bashkëshorti juaj, është gjallë. Pse keni arritur në një konkluzion të tillë?

Që prej 20 dhjetorit 2004, kur është mësuar edhe lajmi se anija dhe tre marinarët nuk janë kthyer në port dhe asnjëri prej tyre nuk përgjigjej në telefon, unë nuk kam pushuar së rëni numrit të Arturit. Dy javët e para, nga koha e humbjes së lidhjeve, nuk kam

marrë asnjë sinjal. Megjithatë, unë bëja të njëjtën gjë, pasi diçka brenda vetes time më thoshte se burri im është i gjallë. Dhe ajo që prisja ndodhi.

Pra keni biseduar me Arturin? Kur?

Për të kaluar mërzinë, rri herë te vjehrra dhe herë te vëllai. Kisha dy javë që kisha ardhur në shtëpinë e prindërve. Në mëngjesin e 18 janarit, rreth orës 07.00, më bie telefoni dhe më vinë dy zile. E mora telefonin dhe pashë që nuk kishte numër, pra që telefonata vinte nga jashtë. Që nga kjo kohë i shpeshtova përpjekjet, duke i rënë numrit të Arturit nga mëngjesi deri pas mesnate. Me datë 17 shkurt, tri ditë më parë, sapo i rashë numrit të burrit tim, shkuan shtatë zile, telefoni në anën tjetër doli i lirë dhe u hap. Ka qenë ora rreth 11.00. E thirra në emër dhe nga ana tjetër e telefonit më është përgjigjur një “alo!”. Jam e bindur se “alo” nuk ishte zëri i burrit tim. Mendova se ishte kompjuteri. E mbylla dhe kur bëra përpjekjen tjetër sekretaria telefonike më thotë se nuk kisha më lekë në telefon.

Jeni e sigurtë që i keni rënë numrit të Arturit?

Jam shumë e sigurtë se nuk kam ngatërruar numër. Arturi kishte një numër shqiptar dhe një numër italian. Numrin 00393206741666 e di përmendësh dhe e kam të regjistruar në telefon, ashtu siç ka edhe Arturi numrin tim. Më 20 dhjetor në ora 20.00 kam biseduar me këtë numër për të fundit herë, kurse gruaja e Gencian Dakuzit, kapitenit të anijes, ka biseduar në ora 20.20 dhe askush nuk është lidhur më me marinarët e anijes. Asnjë nga të afërmit e Gencianit apo Haxhiut nuk kanë marrë telefonata apo zile që nga koha e humbjes së tyre. Ai më tha se kishin kaluar Kroacinë, ishin në Mexokanal dhe se do të vinte në shtëpi rreth orës 01.00 pas mesit të natës. Madje, më tha se do të dëshironte t’i gatuaja një byrek, pasi e kishte shumë qejf. Të jeni të sigurtë se i kam rënë vetëm numrit të tij.

Ka të afërm të tjerë të familjes suaj, që kanë marrë të tilla sinjale?

Kunati im, vëllai i Arturit, Sokol Saliu, ka marrë edhe ai një telefonatë me dy zile. Këtë ma ka thënë në fillim vjehrra ime dhe më pas edhe vet Sokoli. Edhe kunatit i ka dalë sinjali i lirë, por nuk ia ka hapur njëri. Po të jenë të mbytur si është e mundur që sinjali del i lirë? Kush e ka marrë telefonin nga deti?! Nga ana tjetër kam kërkuar ndihmë te djali i xhaxhait tim, Altini, të cilit edhe ati i ka dalë sinjali i tij.

Ç'ka ndodhur, sipas jush, me burrin tuaj?

Unë mendoj se ai është gjallë. Telefoni më shtyn të mendoj dhe të bindem për këtë. Kam pyetur edhe për rastet kur telefoni është në ujë dhe më kanë thënë se sinjali nuk mund të dalë i lirë. Nëse burri im, Gencian Dakuzi dhe Haxhi Hallulli do të jenë mbytur,

kush ka marrë telefonin e Arturit dhe ku e kanë marrë

Mendoni se Arturi ka braktisur anijen?

Unë kisha vetëm 6 muaj martesë me Arturin dhe duke qenë se 3 muaj i kishte kaluar në Itali në prisnim me padurim të takoheshim, pasi na kishte marrë malli për njëri-tjetrin. Këtë ma ka thënë sa herë flisja në telefon, siç ia thoja edhe unë. Përse do të më

braktiste Arturi, ne shkonim shumë mirë. Edhe anijen nuk kishte pse ta braktiste, pasi me të ne mbanim jetën, ndërsa marrëdhëniet e tij me pronarin e anijes kanë qenë shumë të mira. Për mua, anija dhe marinarët janë marrë peng. Edhe deklarimet se është gjetur një pjesë e litarit të anijes në afërsi të Bishtit të Pallës nuk janë të vërteta se po të ishte kështu do të dilte në sipërfqe së paku nafta, apo ndonjë send tjetër dhe do të kishin ngordhur edhe peshqit në atë zonë, gjë që nuk është pohuar asnjëherë.

Ekuipazhi: Gencian Dakuzi, datëlindja 1959, kapiten

Haxhi Hallulli, datëlindja 1948, marinar

Artur Saliu, datëlindja 1960, mekanik

Pro dhe kundër

Dy muaj dyshimne dhe hamendje

Peshkarexha “Vlora” me tre persona në bordin e saj, pronë e Qemal Harizit (Beu), u zhduk në det, dy muaj më parë, pikërisht natën midis datave 19 e 20 dhjeorit të vitit 2004. Peshkarexha 500 tonëshe ishte nisur nga porti i Triestes, drejt Durrësit. Ndërsa peshkarexha, ishte për riparim në Itali, pritej që të përshkonte rreth 600 milje e të mbërrinte në kalatën e peshkimit, në portin e Durrësit.

Hamendësitë e diskutimet pas zhdukjes së saj, ishin kontradiktore.

Vetëm pak ditë pas zhdukjes së anijes “Vlora, marinarë të shumtë nuk fshehën dyshimin se ekuipazhi i motopeshkatores “Vlora”, të ishte bërë pre e piratëve të detit. Në të njëjtën kohë, marinarët përjashtuan edhe mundësinë e ndonjë avarie, apo fundosjeje të peshkarexhës “Vlora”, e cila është nisur nga brigjet e Kiogjios (Cioggio) së Italisë pas një remonti prej tre muajsh.

Kapiteni i portit të Durrësit, Muharrem Trupja, deklaroi se

anija nuk mund të jetë përplasur me ndonjë anije tjetër. Pohimet e tij, Trupja i mbështeste në faktin se nga zhytja e saj duhet të kishte dalë në sipërfaqe ndonjë pjesë e saj, apo edhe rroba, apo plaçka të peshkatarëve.

Pas këtyre pohimeve, nuk kanë munguar edhe ato “pesimistet” që tregonin për një mbytje të mundshme të saj. Disa ditë pas zhdukjes, peshkarexha u deklarua e mbytur në një largësi 17 milje larg Bishtit të Pallës dhe në një thellësi më shumë se 120 m, pas gjetjes së një cope litari, që u mendua se i përkiste asaj. Lidhur me këtë, pronari anijes bëri të ditur se do të kërkohej në vendin e pretenduar, por këto kërkime do të zhvillohen në muajin mars, nga polumbarë të huaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›