Harbuzi-Gençlerbirligli, vjen “divorci”
Labinot Harbuzi është “divorcuar” me skuadrën turke të Gençlerbirligis. Mesfushori kosovar e ka shkëputur kontratën me klubin turk. Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja suedeze Sportbladet. “E kemi arritur një marrëveshje, nga e cila të gjitha palët kanë mbetur të kënaqura”, ka thënë menaxheri i futbollistit, Hasan Cetinkaja. 25-vjeçari ka qëndruar në klubin turk për dy vjet e gjysmë, pasi ishte transferuar nga Malmo në verën e vitit 2009. “Ishte Labinoti ai i cili kishte kërkuar që të largohej nga klubi, por presidenti kishte refuzuar, edhe pse kishte oferta nga klube të mëdha. Më pas dëshira e madhe e lojtarit e ka bërë të veten. E bindëm presidentin në fund ”, shtoi Cetinkaja. Futbollisti kosovar nga tani mund të fillojë bisedime me klubet tjera dhe mund ta gjejë ekipin e ri që në janar. “Për momentin nuk ka ndonjë opsion konkret, nuk e dimë nëse do të luajë në Turqi apo diku tjetër. Gjëja më e rëndësishme është se ai do ta kërkojë një skuadër ku do ta shijojë futbollin dhe të jetë i kënaqur nga aspekti financiar. Ai është i lirë tashmë të zgjedhë klubin e ri”, përfundoi Cetinkaja.