Xhon Terri në gjyq, Suarez pezullohet 8 ndeshje
Kapiteni i Anglisë, Xhon Terri do të përballet me akuzën për racizëm. Lajmi është publikuar nga BBC, e cila shkruan se akuza është ngritur nga Prokuroria. Terri ka përdorur gjuhë raciste kundrejt, Anton Ferdinand, gjatë ndeshjes me Kuins Park Rejnxhërs më 23 tetor. Kapiteni i Çelsit është marrë në pyetje nga policia në muajin nëntor, në një kohë që 30-vjeçari ka mohuar të ketë bërë komente raciste. Ai do të paraqitet në gjyq më 1 shkurt të vitit që vjen. Por nëse Terri do të paraqitet në gjyq më 1 shkurt, fyerjet raciste i kanë kushtuar shtrenjtë sulmuesit të Liverpulit, Luiz Suarez, i cili është kryqëzuar nga Komisioni Disiplinor i Federatës Angleze të Futbollit. Uruguaiani është shpallur fajtor pas një hetimi dy-mujor dhe si pasojë është pezulluar me tetë ndeshje si dhe duhet të paguajë një gjobë prej 40.000 paundësh. "Për thyerje të etikës, duke përdorur fjalë diskriminuese në dëm të kundërshtarit, Suarez përjashtohet për tetë ndeshje nga të gjitha kompeticionet me skuadrën e parë",- lexohet në komunikatën për shtyp të federatës angleze. Luiz Suarez iu drejtua me fjalë raciste mbrojtësit francez me ngjyrë Patris Evra, gjatë ndeshjes së Premier Ligës, Livepul-Mançester Junajtid Sulmuesi mohoi të kishte përdorur shprehje diskriminuese, por pas pamjeve televizive, komisioni i disiplinës ka hedhur poshtë pretendimet e futbollistit, që duhet të vuajë një pezullim të gjatë. Uruguaiani ka reaguar në faqen e tij në Twitter, duke u shprehur se po përjeton momentin më të vështirë të jetës së tij. Gjithsesi, këto fjalë nuk e ndihmojnë Liverpulin, që në tetë ndeshjet e ardhshme duhet të bëjë pa një prej sulmuesve me të rëndësishëm të tij.