Pogradeci pëson fatin e Laçit, liqenorët në ekzil dhe -3 pikë
Komisioni i Disiplinës në FSHF ka marrë masa të ashpra edhe ndaj trajnerit Ylli Çekiçi dhe lojtarëve Isa Eminhaziri dhe Nexhat Drazhanin
Në ekzil deri në fund të sezonit edhe pa tifozë. Për ta bërë situatën nga dramatike në tragjedi për Pogradecin, janë edhe 3 pikët e zbritura në tabelë. Kështu, nga një sezon i nisur mirë, tani për skuadrën liqenore ka filluar malorja e vështirë!
Komisioni i Disiplinës nuk fal Pogradecin, që ashtu si Laçi duhet të vuajë një vendim drastik, pas dhunës në dëm të arbitrit Enea Jorgji, në ndeshjen e javës së fundit kundër Teutës. Deri në fund të sezonit, skuadra pogradecare duhet t'i luajë ndeshjet e mbetura jashtë fushës së saj dhe pa tifozë. Ekipit i janë hequr gjithashtu tri pikë nga renditja e përgjithshme e këtij kampionati, ndërsa duhet t’i bëjë llogaritë pa trajnerin e saj, Ylli Çekiçi dhe dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj. Tekniku është pezulluar për tetë javë, ndërsa përkatësisht, gjashtë dhe katër javë janë përjashtuar Isa Eminhaziri dhe Nexhat Drazhanin. Sipas komisionit të disiplinës, ata kanë kryer sjellje antisportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, që në përfundim të saj ka qenë viktimë e dhunës në tunelin, që të çon në dhomat e zhveshjes. Ja edhe raporti i plotë i KD-së: “1)KF “Pogradeci” për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrimeve për organizimin e ndeshjes së futbollit dhe garantimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes me pasojë dhunimin e tyre si dhe për sjelljen e gabuar dhe të dhunshme të spektatorëve e hedhje të sendeve të forta ne fushë, në bazë të neneve 66.2 , 67.1 dhe 67.4 dhe lidhur me nenet 24 ,25 dhe 30 të KDS dënohet : a) me zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të sezonit futbollistik 2011-2012 në fushë asnjanëse dhe pa spektatorë. b) zbritjen e 3 (tre) pikëve nga pikët që ka në klasifikimin e Kampionatit Kombëtar aktual. 2. Trajneri i KF “Pogradeci” Ylli Çekiçi për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të nenit 49.2/a/3 të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 100.000 lekë gjobë. 3. Lojtari i KF “Pogradeci” Isa Eminhaziri për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të nenit 49.1/a/3 të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 100.000 lekë gjobë. 4. Lojtari i KF “Pogradeci” Nedjat Drazhanin për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të nenit 49.1/a/3 të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 100.000 lekë gjobë.”
Pogradeci është skuadra e dytë, që ndëshkohet brenda pak javësh, pasi të njëjtin fat pësoi edhe Laçi. Por ajo që do të rëndojë më shumë në skuadrën liqenore, është se faktori fushë tek ajo ka pasur shumë ndikim. Pogradeci nuk njihte humbje prej më shumë se dy vjetësh në fushën e tij dhe ekzili mund të ketë pasoja të rënda në të ardhmen e kësaj skuadre në kategorinë superiore.
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Teuta 12 10 1 1 31
2. Tirana 12 8 2 2 26
3. Skënderbeu 12 6 5 1 23
4. Kastrioti 12 7 1 4 22
5. Flamurtari 12 6 3 3 21
6. Vllaznia 12 5 2 5 17
7. Bylis 12 5 2 5 17
8. Shkumbini 12 4 3 5 15
9. Kamza 12 4 1 7 13
10. Pogradeci 12 5 1 6 13
11. Laçi 12 4 4 4 10
12. Apolonia 12 2 2 8 8
13. Tomori 12 2 2 7 8
14. Dinamo 12 0 3 9 0
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA
Laçit i janë zbritur 6 pikë nga Komisioni i Disiplinës
Pogradeci, -3 pikë pas vendimit të disiplinorit
Vajushi dhe Lala dënohen me nga tri ndeshje
Vllaznia dhe Dinamo nuk do të kenë në dispozicion për tri ndeshje lojtarët Armando Vajushi dhe Endri Lala, pasi të dy janë ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit. Kështu, trajneri Rudi Vata dhe Artan Mërgyshi, duhet t’i bëjnë llogaritë pa ta në tri ndeshjet e radhës, por natyrisht që mungesa e cila peshon më shumë, është ajo e Armando Vajushit, që te Vllaznia ka marrë një rol lideri pas pezullimit të Xhevahir Sukajt.