Harbuzi transferohet në Syrianska

Labinot Harbuzi e ka zgjedhur ekipin e tij të ri. Mesfushori kosovar është transferuar në Syrianska, e cila garon në elitën e futbollit suedez.
Klubi nga Allsvenskan e ka konfirmuar lajmin përmes uebfaqes së vetë zyrtare.
“Ne e kemi angazhuar një lojtar me teknikë të përsosur dhe me përvojë. Ai ka ushtruar mirë dhe besoj se do t’i përshtatet mënyrës se si luajmë ne. Ai do na japë mundësi të reja dhe do na ndihmojë në lojën tonë sulmuese. Jemi shumë të kënaqur që kemi nënshkruar me të”, ka thënë presidenti i Syrianskas, Andreas Temiz.
“Ne u takuam dhe diskutuam me Labinotin për interesimin tonë. Takimi rezultoi me vend dhe nënshkruam kontratë. Të dyja palët ishim të kënaqura me rezultatin e takimit”, shtoi kreu i klubit suedez.
Harbuzi do t’i mbrojë ngjyrat e Syrianskas, që nuk i ka punët mirë këtë edicion, së paku deri në fund të sezonit.