Nga ferri në parajsë

Sulmuesi spanjoll, i cili nuk arriti të rikthehej për Evropianin 2012, e priti muajin gusht për të luajtur një ndeshje zyrtare dhe e bëri atë për të cilën është lindur, shënoi gol. Në minutën e 75-të në Camp Nou, Barcelona ishte duke avancuar 4:1 ndaj Real Sociedadit dhe trajneri Tito Villanova e futi atë në lojë në vend të Pedros.
Ndërkaq, pas një asistimi të Iniestas, ‘Guaje’, golashënuesi më i mirë në histori të ‘Stuhisë së Kuqe’, e futi topin brenda. Kishin kaluar vetëm 10 minuta që nga inkuadrimi i tij në fushë dhe ish sulmuesi i Valencias nuk fali.
“E diela ishte ditë e veçantë për mua. Njerëzit më bënë t’i harroj muajt e vështirë nëpër të cilët kam kaluar. I falënderoj të gjithë ata që ishin me mua gjatë kësaj kohe. Do të ishte e pamundur ët rikthehem pa dashurinë dhe mbështetjen tuaj”, ka shkruar Villa në rrjetin social Twitter, ku ka 1,850,000 shoqërues.
“Shumë faleminderit për mbështetësit e Barcelonës, për ovacionin e madh që ma rezervuan të dielën mbrëma në Camp Nou. Nuk do ta harroj kurrë këtë”, ka shtuar ai.