I duam krejt

Lionel Messi ka treguar se Barcelona synon të fitojë çdo garë në të cilën do të marrë pjesë këtë edicion. Ylli argjentinas e filloi sezonin në La Ligë në mënyrë të shkëlqyeshme duke realizuar dy gola në fitoren e Barcelonës ndaj Real Sociedadit 5-1, të dielën.
Dhe, reprezentuesi argjentinas ka sugjeruar se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të suksesshëm të gjigantit katalan. “Siç ka thënë edhe trajneri Tito, ne duam t’i fitojmë të gjitha”, deklaroi Messi pas ndeshjes kundër Sociedadit për uebfaqen zyrtare të Barcelonës.
“Ne kemi mentalitetin e njëjtë. E dimë se do të jetë vështirë, por duam të fitojmë çdo garë në të cilën marrim pjesë”, shtoi ai. Messi beson se çelësi i suksesit qëndron te vetë skuadra dhe grupi i futbollistëve.
“Çelësi është zhveshtorja që kërkon të arrijë gjëra të rëndësishme dhe grupi është më optimist se kurrë më parë. Ne kemi filozofi të njëjtë, projekt të njëjtë, mbajmë dhe mbrojmë topin. Sonte e dëshmuam këtë. Sezoni i kaluar la një hije të keqe te ne, pasi nuk e fituam ligën dhe Ligën e Kampionëve. Por, këtë vit do të hakmerremi”, përfundoi ai.
Kurse, trajneri Tito Vilanova është deklaruar i lumtur me debutimin e tij zyrtar si trajner i Barcelonës. Vilanova zhvilloi ndeshjen e tij të parë si kryetrajner i gjigantit katallan, pas promovimit në detyrë pas largimit të Guardiolës, në fund të sezonit të shkuar. Vilanova ishte asistent i Guardiolës në katër vitet e drejtimit të skuadrës nga ana e ish-mesfushorit. Kurse, tani ka shijuar rolin udhëheqës dhe është ndarë i kënaqur nga ajo që përjetoi.
“Është gjithmonë mirë të fitoni në debutim dhe të fitoni mirë. Fakti se u shfaqëm furishëm në 15 minutat e parë, kur reaguam shpejt pas golit të tyre, na ndihmoi shumë. Edhe rikthimi i Villës nga lëndimi ishte me rëndësi për ekipin. Goli që shënoi do të shërbejë si përkrahje për të”, deklaroi Vilanova në konferencë për shtyp, pas ndeshjes.
Por, ai mendon se Barcelona nuk është ende në kulmin e formës. “Ne ende nuk jemi në nivelin e duhur të formës fizike, edhe pse gjithmonë mundohemi të shkojmë përpara dhe ndjej se mund të japim më tepër”, shtoi ai.
I pyetur për vendimin që Gerard Pique, Andres Iniesta dhe Alexis Sanchez të fillojnë takimin si rezervistë, ai mohoi t’i ketë pushuar ata para duelit të parë të Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit, të enjten. “Kam marrë parasysh udhëtimet me ekipet e tyre kombëtare si dhe kohën që kaluan në stërvitje”, përfundoi ai.