E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harlan, sërish për Festivalin e Durrësit

Jan Harlan, producenti i njohur i filmave të regjisorit me famë botërore, Stenli Kubrik, mbërrin në Durrës. Pas vizitës në verën e kaluar, ku ishte ftuar si pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit, që u zhvillua për herë të parë në këtë qytet, Harlan ka zhvilluar një tjetër vizitë në qytetin shqiptar, ku është pritur nga krerë të bashkisë. Producenti ka deklaruar se do të marrë pjesë edhe në edicionin e ardhshëm të këtij festivali, ndërsa i është kërkuar një bashkëpunim më i ngushtë në kuadër të këtij aktiviteti, që synon të sjellë prodhime kinematografike nga vende të ndryshme të botës për garim midis tyre në Durrës. Ndonëse me dritëhijet e veta, Festivali i Filmit është konsideruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako si një arritje, sukses të vërtetë jo vetëm për qytetin, por për të gjithë vendin. Në takim u deklarua se festivali do të kthehet në traditë dhe do të zhvillohet çdo vit, ndaj Harlan është ftuar të jetë pjesëmarrës edhe në edicionin e dytë, që është parashikuar të organizohet këtë vit. Producenti Harlan shprehu dëshirën për të qenë prezent në të me shfaqjen e disa prej filmave të regjisorit të mirënjohur Stenli Kubrik, por edhe me një seminar mbi produksionin kinematografik dhe të fshehtat e tij për të gjithë të interesuarit. Ai ishte i ftuar special në Festivalin Veror të Durrësit. Jan Harlan është producent dhe regjisor i njohur, kryesisht për produksionet në filmat e Stenli Kubrikut, si "Eye Wide Shut" me Tom Kruis dhe Nikol Kidman, si dhe filmat "Barry Lyndon", "The Shining" dhe "Full Metal Jacket". Në këtë festival ai shfaqi filmin "Eyes Wide Shut" dhe dokumentarin që ka realizuar në nderim të Kubrick me titullin "Stanley Kubrick, a life in Pictures" (Stenli Kubrik, i gjallë në filma). Harlan u shpreh i kënaqur nga vizita e tij në Durrës dhe nga pritja që i rezervoi qyteti, ndërsa deklaroi se do të vazhdojë punën për sa u përket leksioneve të ndryshme mbi filmin, por edhe punën për të bërë disa filma të rinj. Ai tha se do të jetë i pranishëm pas Durrësit në disa seminare ndërkombëtare për filmin në Kanë, Paris, Teksas, Londër etj. Edhe në Tiranë, Harlan kishte dhënë disa leksione filmi në shkollën e filmit "Marubi". Përveçse kunati i regjisorit Kubrik, ai është edhe producent i katër prej filmave të tij. Në filmin "A Clockwork Orange", ai ishte gjithashtu asistent regjisor, ndërsa te filmi "Artificial Intelligence" i Stiven Spilbergut, Harlan është producent ekzekutiv. Në vitin 2001 ai realizoi dokumentarin kushtuar Kubrikut, i cili u shfaq dhe për publikun shqiptar gjatë verës së kaluar në Durrës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›