Rakida Dati, gruaja e mrekullive, apo tradhtare e seksit të saj
E veshur me një xhaketë kadife të zezë, fundin mbi gju në të njëjtën ngjyrë dhe taka të larta të holla, Rakida Dati, ministrja franceze e Drejtësisë, dukej si zakonisht elegante në ditën e parë të punës të hënën e kaluar. Mëngjesi në Ministrinë e Brendshme u pasua me mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar të vitit me Presidentin Nikolas Sarkozi. Pasdite ajo ishte sërish me shefin e saj për ceremoninë e nisjes së vitit të ri në Gjykatën e Lartë. Po atë natë, teksa përshëndeste të pranishmit, të gjithë vunë re gishtat e lyer bukur me manikyr dhe një gotë shampanjë në dorë, gjatë një pritjeje në ambasadën spanjolle. Dati, 43-vjeçare, vetëm pesë ditë më parë kishte sjellë në jetë përmes një operacioni cezarian vajzën e saj, Zohra. Me vajzën e mbështjellë me batanije në krah, doli vetëm atë mëngjes nga një klinikë private në periferi të Parisit, ndaj vendimi i saj për t‘u rikthyer në punë kaq herët shkaktoi një revoltë te femrat franceze dhe britanike, që e shohin atë si tradhtare të seksit të saj. Rikthimi kaq i shpejtë në punë, thonë ato, ishte një shembull që mund të përdoret për të "minuar" fitoret e vështira për të drejtat e grave që sapo kanë lindur, duke i kthyer femrat pas në kohët e errëta. Të tjera shtrojnë pyetjen: Mos ndoshta është thjesht gruaja e mrekullive? Vendimi i saj për të mos zbatuar lejen e paslindjes ishte një shembull guximi dhe vendosmërie, veti që ajo i ka treguar që kur ishte fëmijë e deri sa u ngjit në një nga postet më të rëndësishme të qeverisë franceze. E konsideruar si femra më yll në kabinetin e Sarkozisë, Dati shumë shpejt u bë qendra e vëmendjes, edhe pse kohët e fundit popullariteti i saj nisi të zbehej paksa. Ajo kujtohet ende në Britani, kur u shfaq në banketin mbretëror në kështjellën Uindsor vitin e kaluar, me një fustan të shkurtër mbi gju dhe rrezatonte feminilitet, ndërsa kësaj here gjendet nën akuzën e feministeve britanike që e krahasojnë atë më shumë me një burrë, sesa me një nënë që sapo ka lindur. Debati është përqendruar në çështjen e mëmësisë dhe të drejtat e grave. Shumë e krahasojnë atë me Sarah Palinin, guvernatoren e Alaskës dhe ish-kandidaten për zëvendëspresidente në SHBA, që u rikthye në zyrë vetëm pak ditë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të katërt. Gra si këto, vazhdon më tej debati, po "minojnë" të drejtat, të cilat janë dashur shekuj që të arriheshin. "Për Rakidën nuk ka justifikime. Një grua në pozitat e saj duhet të ketë besimin të marrë lejen dhe t‘ua bëjë të qartë edhe grave të tjera se është e mundur të marrin kohë nëse duan për të rritur fëmijët e tyre", shkruhej në një koment. Nëse për disa kjo është një zgjidhje personale, për disa të tjerë Rakida dhe Palin mund të futen te kategoria e nënave të këqija. Ajo po humbet një nga periudhat më të bukura të një gruaje pas lindjes: atë të ushqyerjes së fëmijës me gji. Po ashtu ajo e vendosi jetën në rrezik, pasi u kthye në punë 5 ditë pas një operacioni kaq serioz. Pra, çfarë duhet të mendojmë për Datin? A është ajo një pioniere që duhet lavdëruar, apo një tradhtare që po kthen prapa çështjen e grave? Në të vërtetë, Dati duhet të jetë një ikonë e feminitetit. Ajo ishte simbol i emancipimit, një nga 12 fëmijët e dy prindërve me origjinë nga Algjeria dhe Maroku, që u shkëput nga fëmijëria e dhimbshme dhe një martesë me lajmësi për t‘u bërë ylli i kabinetit qeveritar të Sarkozisë dhe për të marrë një nga postet më të rëndësishme në Francë. Zgjedhja e saj nga Sarkozia në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte një mesazh për gjithë fëmijët francezë, se me mundim dhe këmbëngulje gjithçka është e mundur. Me lindjen e Zohras, ajo u bë një supermama, një grua që tregoi se nuk i duhet një burrë për të sjellë në jetë një fëmijë dhe për të qenë e lumtur. Ndërsa barku i saj rritej çdo ditë e më shumë në muajt e kaluar, Rakida u bë qendra e të gjithë atyre që pyesnin për babin e fëmijës, identitetin e të cilit ajo e refuzoi që ta tregonte, duke thënë vetëm se "jeta ime private është e komplikuar dhe dua ta mbaj larg medias". Dhe ashtu bëri, refuzoi në mënyrë absolute çdo koment për babain e fëmijës në listën e të cilëve i fundit u shfaq edhe vëllai i Presidentit francez, François Sarkozi. Megjithatë, pavarësisht arritjeve të saj personale, disa gra kanë një tjetër arsye për rikthimin saj në punë. Është folur shumë se Sarkozia ka vendosur ta zëvendësojë dhe të bëjë ndryshime në kabinetin e tij. "Ajo nuk kishte zgjedhje tjetër. Në një shoqëri ku dominojnë meshkujt, Datit i duhej të kthehej në punë për të mbrojtur karrierën e saj", tregon Marie-Pierre Martinez, drejtuese e lëvizjes franceze për planifikimin familjar. Florence Montreynaud, presidente e një grupi feminist dhe nënë e katër fëmijëve, thotë se sjellja e Rakidës rrezikon të krijojë dy lloj nënash: atë të supermamave dhe atyre të dobëta. Dati, thotë ajo, është përpirë nga ethet e pushtetit" dhe e krahasoi atë me gratë që lindnin në fermat e tyre në vitet 1920. Shumë të tjerë ua hedhin fajin reformave qeveritare. "Në vend që të zhvillojë në Francë një model që merr shembull nga vendet nordike, Sarkozia po e kthen Francën në një shoqëri të dhunshme dhe çnjerëzore", shkruhet në një blog në internet për ministren. Për shembull, në Britani ofrojnë më shumë leje lindjeje se në Francë, ku gratë marrin më shumë se një vit leje për t‘u kujdesur për fëmijët e tyre. Vërtet, sipas Departamentit për Punë dhe Pensione, Dati do të kishte thyer rregullat në Britani nëse do të kthehej kaq shpejt në punë. Aty është e paligjshme për një grua të kthehet në punë brenda dy javëve që nga koha e lindjes, ose katër javëve, nëse ajo punon në një fabrikë. Pavarësisht se të drejtat e grave që sapo lindin mbrohen me ligj, gratë kanë frikë se shembulli i saj do të përdoret për t‘i kthyer më shpejt në punë në një shoqëri të dominuar nga meshkujt. Gjithsesi, kjo mbetet një zgjedhje individuale? "Nuk e kuptoj këtë dëshirë të jashtëzakonshme për të kritikuar zgjedhjet e të tjerëve. I adhuroj gratë si Sarah Palin apo Rakida Dati, që kanë guxim për të marrë vendime të tilla", thotë Frank Furedi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Kentit dhe autor i librit "Paranoid Parenting". Linda Hirshman, një avokate dhe autore e "Get to Work", thotë: "Rakida është në gjendje ta dallojë kur nuk ndihet mirë, ose ndihet e përgjumur. Të lindësh një fëmijë nuk do të thotë të jesh sëmurë", tregon. Por, nëse rikthimi në punë i Rakida Datit ka shkaktuar kaq shumë debat, ja se çfarë tha vetë ministrja 43-vjeçare kur gazetarët nuk nguruan t‘ia bënin edhe këtë pyetje: "Po i dedikoj shumë kohë njeriut më të dashur për mua, që është vajza ime. Kam përshtatur kohën". Në fund u tha gazetarëve se nuk mund të fliste më gjatë: "Nxitoj të kthehem në shtëpi te vajza".