E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në 1980-ën, si Koreja e Jugut

Ajo është veshur me ngjyra të nxehta, edhe pse jemi në dimër ku mbizotëron grija. Anne-Marie Autissier duket paksa e lodhur, ndoshta prej punëve e angazhimeve të shumta. Megjithatë duket se është një zonjë energjike, e palodhur. Është docente në letërsi dhe përkthyese e gjuhës shqipe. "Evropa në kulturë" jo vetëm si projekt, por edhe si koncept, është në qendër të karrierës së saj, e cila ka nisur në vitin 1986 me projektin e quajtur "Evropa e festivaleve", që ka si synim integrimin e vendeve evropiane nëpërmjet festivaleve ndërkombëtare. "Në atë kohë Evropa ishte në fazë rifillimi dhe vihej re një problem real qytetarie", kujton ajo. "Kishim ndjesinë se situatat po avanconin, por pa qytetarë të vërtetë evropianë, e më shumë pa të rinj", vazhdon më tej. Më pas filluan edhe projektet e reja, mes të cilave krijimi i hapësirave, që do të menaxhoheshin nga vetë artistët e rinj. E në sajë të eksperiencave të shumta, ajo pati fatin të vizitonte vende të ndryshme në kohë të ndryshme. I tillë ishte edhe rasti i Shqipërisë. Me të krijuar projektin në fillimin e viteve ‘80, Anne-Marie vendos që eksperienca e saj të vihej edhe në shërbim të studentëve të Institutit të Studimeve Evropiane, një antenë e Universitetit Paris VIII, kushtuar Evropës. Ajo është autore librash, por edhe përkthyese e një gjuhe jo shumë të thjeshtë: asaj shqipe. E rrëfen këtë "histori ndryshe" me një kënaqësi të cilën nuk e fsheh aspak. Në vitin 1980 ajo pranon fluturimthi, pa e menduar aspak, mundësinë e ofruar për të qenë atashe kulturore në Shqipëri. Përgatit valixhet për dy vitet në vijim. "Ishte një botë tjetër. Gjeografikisht Shqipëria ishte pjesë e Evropës, por në një kontekst aspak evropian. Në atë periudhë flitej shumë pak për vendet evropiane dhe më pak akoma nga CEE si organizëm. Shqipëria, një herë e një kohë mjaft e lidhur historikisht dhe gjeografikisht me Evropën, e gjeti në një moment veten pa asnjë lidhje me botën jashtë, madje edhe me vendet komuniste si Jugosllavia, Kina e Rusia. Në atë kohë mund të konsiderohej fare mirë Koreja e Jugut e Evropës!" - kujton ajo. Pikërisht në këtë periudhë Anne zbulon "jetën e një shoqërie, e cila i bënte apel komunizmit, varësisë ndaj një regjimi të egër, ku të gjitha takimet ishin të kontrolluara". Shqipëria, e rrjedhimisht edhe Ballkani, Evropa Qendrore dhe Lindore, u kthyen për Anne një burim frymëzimi për karrierën e saj. Mjafton të hedhësh një vështrim në biografinë e saj për të kuptuar se çfarë ka ndodhur pas kësaj eksperience në vendin e vogël komunist. Sot është shumë e kënaqur teksa shikon se artistë dhe studentë shqiptarë kanë rigjetur Evropën. Gjatë kohës së lirë ajo përfiton nga rasti për t‘u marrë me talentin e saj si përkthyese dhe për t‘u njohur me autorët shqiptarë, me krijimtarinë e tyre të mrekullueshme. Pas një takimi të rastësishëm në Festivalin e Kinemasë në Tiranë, tashmë ajo është edhe përkthyesja zyrtare e shkrimtarit Bashkim Shehu, djalit të ish-numrit dy të regjimit, i cili ndërroi jetë në vitin 1981, vit kur ajo gjendej në kryeqytetin shqiptar. Por përkthimet e saj nga shqipja nuk kufizohen vetëm me Shehun. Anne ka përkthyer edhe vepra të Helena Kadaresë, apo Sabri Hamitit. Ndërsa ka botuar edhe një numër të konsiderueshëm për kulturën shqiptare në përgjithësi, duke nisur nga kinematografia etj. Pas eksperiencës në Shqipëri, dashuria e saj për Evropën Lindore e vendet Ballkanike në përgjithësi është më e madhe. Është e vëmendshme ndaj ndryshimeve kulturore dhe gjithnjë e gatshme për të bashkëpunuar me artistët e këtyre anëve. Me një vështrim gjithë shkëlqim, teksa flet për Evropën Lindore, ajo thotë se tashmë bilanci është pozitiv. Mes Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore ka mjaft shkëmbime kulturore. "Tashmë Evropa është një krahinë e botës, një shembull i cili duhet ndjekur. Nuk mund të mendojmë për integrim evropian pa një integrim krahinor në shkallë ndërkombëtare", komenton Anne. "Është interesante të shikosh se si evoluojnë shoqëritë në raport me çështjet evropiane. Duhet që njerëzit të ndërgjegjësohen se ne vetë jemi Evropa. Ndaj edhe prioriteti duhet të jetë: të kapësh fluturimthi çastin për të jetuar, studiuar dhe për të punuar si evropian. Ky është edhe favori më i madh që mund t‘i bëjmë Evropës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›