E Diel, 1 Nëntor 2026

"Onufri ‘08", të mërkurën shpallet fituesi

Juria e ekspozitës se përvitshme "Onufri", që vjen në edicionin e saj të 14-të, nën kujdesin e profesorit italian të fenomenologjisë Riccardo Caldura, ka vendosur të shpallë ditën e mërkurë, më 14 janar, në Galerinë Kombëtare të Arteve fituesin, ose fituesit e këtij aktiviteti. Ky edicion i "Onufrit" vjen si një paraqitje e skenës më emergjente të artit shqiptar dhe kuratori është fokusuar në një numër të vogël artistësh, por të prezantuar në mënyrë të zgjeruar në ekspozitë. Artistët pjesëmarrës, konkurrues për çmim janë: Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro. I vetmi artist i huaj, Bert Theis nga Luksemburgu, nuk merr pjesë në ekspozitë si konkurrues për çmim.

Juria e çmimit "Onufri" do të jetë e përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë të arteve pamore. Nissim Tal, drejtor i përgjithshëm i Muzeve të Artit në Haifa, Izrael, Raya Zommer, drejtoreshë/kuratore e Muzeut Janco-Dada, Ein-Hod, Izrael, artisti Parid Teferiçi, Elizabeth Neilson, kuratore dhe drejtoreshë e Zabludowicz Collection në Angli dhe Daniele Capra, kritik arti për revistën online "Exibart" në Itali, do të vendosin për më të mirin ndër pjesëmarrësve në këtë edicion të konkursit "Onufri". Tema të cilës iu përmbajtën këtë vit artistët është: "A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›