E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Harrohet” 10 ditë në qeli pasi përfundoi dënimin për falsifikim

TIRANE – Gjykata e Tiranës liroi dje një të dënuar për falsifikim dokumentesh, 10 ditë pasi ky kishte përfunduar dënimin e marrë nga togat e zeza. 

Lajmin e pohojnë burime nga togat e zeza, sipas të cilave përgjegjësia për këtë shkelje ligjore bie mbi organin e akuzës, institucion ky shumë i përfolur kohët e fundit për skandale të tilla. Në vendimin e djeshëm gjykata u shpreh se mosankimimi nga palët i vendimit të 10 korrikut të Gjykatës së Tiranës ka bërë që ai të merrte formë të prerë më datë 20 korrik, por edhe pas kësaj date Prokuroria nuk ka vepruar për ta ekzekutuar atë. Vetëm pas kërkesës së paraqitur nga vetë i dënuari, gjyqtari i gatshëm në kryeqytet vendosi të lironte 46-vjeçarin Mehmet Sulaj, i cili e kishte përfunduar vuajtjen e dënimit para 10 ditësh, ndërsa vazhdonte të mbahej në qeli në kundërshtim me ligjin. 46–vjeçari kryeqytetas, Mehmet Sulaj është arrestuar më 12 shkurt të këtij vitit dhe është dënuar tre javë më parë me një vit burg për falsifikim dokumentesh. Si pasojë e mbajtjes së qëndrimit pohues ndaj akuzës nga ana e të pandehurit, gjykata i pranoi mbrojtësit të tij aplikimin e procedurave të gjykimit të shkurtuar në procesin në ngarkim të tij. Kështu, duke përllogaritur të gjitha lehtësitë ligjore atij i mbeten për të vuajtur në qeli vetëm 5 muaj e 10 ditë burg, ose thënë ndryshe duhet ta përfundonte këtë dënim më datë 22 korrik. Pas marrjes së këtij dënimi nga Gjykata e kryeqytetit Sulaj nuk paraqiti ankesë në Apel, po kështu as Prokuroria, duke bërë që 10 ditë më vonë vendimi të merrte formë të prerë. Ndërsa priste lirimin nga qelia, Sulajt i është komunikuar nga autoritetet e burgut se vendimi për lirimin e tij ka mbetur i paekzekutuar nga Prokuroria, çka e ka detyruar këtë ta dërgonte vetë nga qelia kërkesën për lirim. Menjëherë pas mbërritjes në sekretarinë e gjykatës, kërkesa u regjistrua dhe iu dorëzua gjyqtarit të gatshëm për ta shqyrtuar atë. Në vendimin e djeshëm gjykata u shpreh dje se, prokurori që mbikëqyr ekzekutimin e vendimit të gjykatës duhet t’i ishte drejtuar autoriteteve të burgjeve, duke iu bërë me dije për kohën që duhet të vuante i dënuari Sulaj. Por siç rezultoi në procesin e zhvilluar dje në gjykatë një dokument i tillë nuk gjendej në dosjen, që shoqëron të dënuarin në burgun ku ai ishte mbyllur. Tashmë sipas ligjeve në fuqi, të dënuarit i lind e drejta për të kërkuar dëmshpërblim për burgim të padrejtë për 10 ditët e kaluara në qeli më tepër se dënimi.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›