E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat serbe zbulojnë paktin e Hollbruk-Karaxhiç

Radovan Karaxhiçi ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë eliminimin e tij, duke u bazuar në një marrëveshje të nënshkruar nga diplomati amerikan, Riçard Hollbruk. 

Karaxhiç i ka dorëzuar trupit gjykues të Hagës një dokument, i cili përfaqëson marrëveshjen me SHBA, sipas së cilës Karaxhiç nuk do të dënohet para Gjykatës Ndërkombëtare, nëse tërhiqet nga jeta publike. Para se të nisej në Hagë, në gjykatën serbe Karaxhiç ka deklaruar se, “Hollbruk më tha se kjo nuk është marrëveshje me të, as me administratën e Klintonit, por me SHBA-në. Është bërë edhe marrëveshje me shkrim me vende për tre nënshkrime: Timin, të Hollbruk dhe të Millosheviç. Ia dërguam marrëveshjen Millosheviçit, por kurrë nuk e ka kthyer. Më vonë më tha: ‘Radovan, ç’të duhen nënshkrime kur të jep garanci forca më e madhe botërore”, citon gazeta “Blic”. Mediat (“Glas Javnosti”) kanë publikuar, deklaratën e Karaxhiçit për Gjykatën, dhe dokumentin e mohuar (marrëveshjen Hollbruk-Karaxhiç në origjinal) nga pala amerikane.
Letra e Karaxhiç
“Nuk vë në pikëpyetje Gjykatën, por dëshiroj të sqaroj pse paraqitem këtu tani, e jo në vitin 1996, 1997 apo 1998, kur pata qëllim të dorëzohem. Gjithë kohën kanë dëshiruar të më vrasin, e jo të arrestohem. Kjo ndodh që prej vitit 1996 pasi përfaqësuesit e mi të autorizuar nga Hollbruk kanë marrë ofertë në emër të SHBA-së. Obligimi im ishte të tërhiqem nga jeta publike, madje edhe letrare, që të mos pengoj mënyrën me të cilën realizohej Marrëveshja e Dejtonit. Eshtë e qartë se duke mos i realizuar obligimet e Marrëveshjes në emër të SHBA-së, Hollbruk kaloi në planin B, eliminimin e Radovan Karaxhiç”.
“Marrëveshja Karaxhiç-Hollbruk”
“Obligime
1. Radovan Karaxhiçi obligohet se do të japë dorëheqje në të gjitha funksionet shtetërore dhe partiake. Vendimi hyn në fuqi deri në skadimin e afatit prej 90 ditëve, kohë që duhet për marrëveshjen rreth hollësirave të domosdoshme me liderët. Dorëheqja duhet të jetë e parevokueshme. Të bëhet ndikim ndaj drejtorëve në parti, që të lehtësohet dorëheqja dhe ndryshimi i hierarkisë.
2. Radovan Karaxhiçi deri në momentin e dorëheqjes nuk do të marrë vendime partiake as shtetërore, as nuk do të ndikojë te të tjerët që t’i marrin, nëse ato kanë të bëjnë me këtë:
2-1 Operacione ushtarake në territorin e BeH-së
2-2 Dislokimin e popullatës civile
2-3 Marrëveshjeve ndërkombëtare-ushtarake, ekonomike, në sferën e sigurisë, integrimeve rajonale
2-4 Emërimin e funksionarëve shtetërorë, partiakë, rajonalë, administratat kulturore
2-5 Dislokimin e mjeteve financiare (duke filluar nga 5.11.03:30)
3. Radovan Karaxhiçi do të tërhiqet nga jeta publike. Kjo nënkupton mosdhënien e intervistave, deklaratave, (personalisht ose përmes ndërmjetësuesve), mospublikimin ... (paqartë e shkruar) të problemeve politike dhe aktuale
Obligime 2
Qeveria e SHBA-së obligohet se nuk do të kryejë ndikim, në mënyrë të drejtpërdrejt ose jo-drejtpërdrejt, mbi udhëheqjen e PDS-së në kuptim të shpërbërjes së partisë...
2. Qeveria e SHBA-së i jep në disponim Radovan Karaxhiçit vlerë prej 600 000 dollarë në valutën lokale. Shuma është e dedikuar për mbajtjen e mënyrës momentale të jetës së Radovan Karaxhiçit dhe harxhimet vijuese në periudhën prej gjashtë viteve.
3. Qeveria e SHBA-së i jep në disponim Radovan Karaxhiçit objekt rezidencial në lokacion që është kontraktuar me marrëveshje paraprake gojore.
4. Qeveria e SHBA-së i jep në disponim Radovan Karaxhiçit sigurim fizik, jo më pak se gjashtë njerëz.
5. Qeveria e SHBA-së është e obliguar ta njoftojë Radovan Karaxhiçin për çdo moszgjidhje eventuale të sigurisë së tij.
Dispozita përfundimtare
1. Kjo marrëveshje është e përhershme.
2. Rrezikimi i Marrëveshjes nga ana e Radovan Karaxhiçit do të trajtohet si “shkelje serioze e marrëveshjes joformale”, në kuptim të nenit 3 pika 25 nga “rregullorja e brendshme” dhe në këtë kuptim do të sanksionohet me afat momental për ekzekutim.
3. Marrëveshja mund të shfuqizohet me marrëveshje ose me iniciativë të Qeverisë së SHBA-së.”
Reagimi i Hollbruk
Ish-ndërmjetësuesi amerikan për paqe në Bosnjë, Riçard Hollbruk, i ka hedhur poshtë si të pabaza pohimet e të akuzuarit për krime të luftës, Radovan Karaxhiç, se Shtetet e Bashkuara i kishin ofruar atij një marrëveshje, se atë do ta mbronte nga ndjekja për krime të luftës. Në komentet e tij, Hollbruk, tha se këto pohime të Karaxhiçit janë të falsifikuara dhe theksoi se, ai kurrë nuk do ta kishte bërë një marrëveshje të tillë, sepse do të ishte jo-etike dhe jo-morale
“Gjykim i padrejtë”
Radovan Karaxhiç tha se është e paimagjinueshme që atij t’i bëhet një gjykim i drejtë në Gjykatën e Hagës, pasi media botërore e ka përshkruar atë si kriminel lufte. Në një dokument drejtuar kësaj Gjykate, ai shkruan se “gjuetia e shtrigave” ndaj tij kishte filluar në median myslimane të Bosnjës, përpara fillimit të konfliktit të armatosur në këtë vend. “Viktimat e vetme deri atëherë kishin qenë serbët”, shkruan Karaxhiç. Radovan Karaxhiç akuzohet për gjenocid ndaj myslimanëve të Bosnjës, përfshirë masakrën e Srebrenicës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›