E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet 1997-ta, rikthehen mashtruesit e fajdeve

Tiranë- Duket se në Shqipëri proverbi i vjetër që ‘çdo pësim bëhet mësim’, nuk ka vend. Edhe pas katrahurës së madhe që shkaktoi shembja e firmave piramidale në vitin 1997, të cilat e kishin mbështetur mashtrimin e tyre pikërisht tek fajdet, shqiptarët sërish bien viktima të fajdeve. Dhe sërish nuk kanë hezituar të shesin shtëpitë për të fituar norma interesi të larta.

Fajdexhiu më i ri në Shqipëri quhet Arben Tole, 39 vjec, arrestuar së fundmi pas shpalljes në kërkim pasi Gjykata e Apelit dhe e kryeqytetit e deklaronin ate fajtor për mashtrimin me vlerën e 10. 096. 977 lekë, në dëm të disa të njohurve të tyre. Ish-punonjësi i Tatim Taksave e kishte marrë këtë shumë nga njerëz të tij të afërt, duke mashtruar edhe djalin e xhaxhait të tij dhe nusen e kushëririt, çka i ka joshuar ata që në këmbim të 5 përqindëshit që do merrnin si përqindje, kanë shitur madje edhe shtëpitë e tyre.

Shuma në total e banesave është 7 milionë lekë. Po çfarë thuhet në dosjen hetimore në adresë të 39-vjecarit, i cili u zbulua nga krimi ekonomiko-financiar në policinë e kryeqytetit. Policia thotë se Arben Tole e ka nisur aktivitetin e tij si fajdexhi që në vitin 2005. Fillimisht ai i ka marrë kushëririt të tij shumën prej 200 mijë lekësh të reja kundrejt interesit 5 përqind. Ai- thonë hetuesit- ka premtuar që i duheshin lekë sepse do të niste një biznes të madh dhe mjaft fitimprurës dhe nëse kushëriri i jeptë shumën e kërkuar ai do i paguante në këmbim cdo muaj pesë përqind të shumës së dhënë.

Arbeni i ka paguar pesë përqindëshin e 200 mijë lekëve muajt e parë. Ndërkohë që më pas ai ka marrë lekë me përqindje edhe tek persona të tjerë, konkretisht shtetasi Albert Xherahu, edhe ky sërish një kushuri i tij. Shuma e dhënë me fajde nga Xherahu është 300 mijë lekë të reja. Katër muajt e parë, në bazë të kontratës, i pandehuri e ka dhënë përiqndjen e parashikuar, por më pas marrëveshja nuk ka funksionuar. Më pas i pandehuri mashtron edhe Ilirian Ibrahimin, duke i marrë 400 mijë lekë të reja në këmbim të 5 përqindëshit, sepse sic u justifikohej, ai po hapte nje biznes të madh dhe fitimprurës.

Po kështu, i mashtruar në vijim ka qenë edhe Bajram Mija i cili ka dhënë në këmbim të interesit 400 mijë lekë. Por më të mashtruarit në këtë histori fajdesh kanë qenë në 2009 shtetasit Zana Tole, bashkëshorte e Aleksandër Toles, e cila ka shitur shtëpinë e prindërve te saj dhe shtëpinë e saj dhe ka depozituar me fajde 7 milionë lekë të reja.

Por pasi çështja ka përfunduar në gjykatë, gjyqtari Ilir Çeliku ka dërguar disa herë njoftim për çeljen e procesit gjyqësor në adresë të të pandehurit, por ka rezultuar se e kishte shitur shtëpinë dhe nuk gjendej. Për këtë gjykata ka njoftuar të gjithë komisariatet e policisë që të sillej forcëërisht i pandehuri. Në përfundim, procesi është zhvilluar në mungesë të të pandehurit ku dhe ai është dënuar në mungesë me 10 vjet heqje lirie. Por Gjykata e Lartë ka konstatuar shkelje proceduriale në gjykim në shkallën e parë. Sipas Gjykatës së Lartë, i pandehuri duhej të njoftohej domosdoshmërisht, të paktën – sipas gjykatës – jo vetëm me anë të policisë, por të vendosej një njoftim pranë njësisë bashkiake ku ai rezultonte se kishte shtëpinë.

Përveç kësaj gjykata çmon se mashtrimi është bërë në mirëbesim dhe në lidhje farefisnore e për këtë duhej riparë mënyra e mashtrimit të përdorur. Në fakt, gjykata harron se edhe në vitet 1993-1997 njerëzve nuk ua mori njeri me forcë paratë, por i çuan vetë me koshiencë të plotë tek Sudja, Xhaferri, Kamberi, Alimuca dhe të tjerë mashtrues që shkatërruan gjysmën e ekonomisë kombëtare. Meqë populli nuk ka vënë mend dhe ende pa u larë borxhet e e fajdeve të vjetra sërish marrin kurajën dhe shesin shtëpitë për t’i futur paratë me fajde

Shkrime të tjera me interes:

  1. Banorë të rrugës Komuna e Parisit, ruhuni nga mashtruesit…! Tiranë- Një pensionist në këtë zonë të Tiranës denoncon përmes...
  2. Pronat në Ujë të Ftohtë, rikthehen konfliktet mes pronarëve dhe Gardës Vlorë- Rikthehen konfliktet mes Gardës së Rëpublikës dhe pronarëve të...
  3. Akuzat ndaj Kuliçajt, gjobitet Taulant Balla Tiranë- Gjykata e Rrethit Tiranë dënoi me 700 mijë lekë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›