E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat nga qiratë, ILDKP: Hetim zyrtarëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të konsiderojë si fshehje të pasurisë rastet e mosdeklarimit të të ardhurave të fituara nga zyrtarët përmes qiradhënies. Angazhimi u deklarua dje gjatë një tryeze që ky institucion realizoi me dy ministri dhe tri agjencitë e administrimit të pronave, me qëllim partneritetin në drejtim të parandalimit të konfliktit të interesave. "ILDKP-ja ka konstatuar se disa prej subjekteve deklarojnë se sigurojnë të ardhura nga dhënia me qira e objekteve të ndryshme", u shpreh Adriatik Llalla, kreu i ILDKP-së. Sipas tij, këto raste janë në proces verifikimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale për të ardhurat që subjektet deklarojnë se realizojnë nga dhënia me qira e objekteve, verifikim i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Duke rikonfirmuar edhe njëherë rolin e trajnuesit për njohjen e kërkesave ligjore nga zyrtarët e administratës publike, Llalla u shpreh, gjithsesi, se "Inspektorati i Lartë do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP-ja është i angazhuar të forcojë rolin kontrollues për sa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionet publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj". Po ashtu, duke i parë në mënyrë të pandarë ligjin nr. 9049, dt. 10.4.2003 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë" dhe ligjin nr. 9367, dt. 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së tha në takim se institucioni do të vijojë me kontrollin rigoroz të deklarimit të interesave private dhe vuri theksin në modelin e ri të formularit të deklaratës së pasurisë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) është shndërruar në një prej institucioneve që po jep kontribut shumë të madh në luftën kundër korrupsionit. Nëpërmjet një programi-pune intensiv trejavor, ILDKP-ja, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP), arriti të trajnojë rreth 200 zyrtarë të niveleve të ndryshme për parandalimin e konfliktit të interesave. Inspektori i përgjithshëm, Llalla, u shpreh se "problematika e trajtuar në seminare, rastet konkrete të ofruara për diskutim dhe pjesëmarrja e lartë, treguan jo vetëm angazhimin e zyrtarëve, por njëkohësisht seriozitetin dhe korrektësinë e Inspektoratit të Lartë gjatë këtij procesi". Në fokus të trajnimeve ishin punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, si dy prej institucioneve qendrore me numër të madh dhe shpërndarje të gjerë punonjësish, si edhe zyrtarë të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë Qendrore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, si institucione me risk të lartë të rënies në konflikt interesi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›