Kreditë e fermerëve, Ministria e Bujqësisë subvencion për interesat
Ministria e Bujqësisë, do të financojë për herë të parë këtë vit, interesat e kredive që do të marrin fermerët për ruajtjen, përpunimin dhe grumbullimin e produkteve bujqësore. Në kuadër të skemës të subvencionimit të bujqësisë për vitin 2008, është parashikuar që të aplikohet mbështetja dhe për kreditimin e fermerëve, duke subvencionuar interesin e kredive të tyre në banka. Nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit për kreditë, që përdoren për veprimtaritë bujqësore, me një buxhet prej 60 milionë lekë, parashikohet të financohen interesat e kredive jo më të vogla se 10 milionë lekë dhe interesi që mbulohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milionë lekë. MBUMK-ja ka informuar bankat e nivelit të dytë që operojnë në tregun vendas për realizimin e këtij bashkëpunimi, ndërkohë që brenda muajit qershor do të mbyllë fazën e aplikimit të fermerëve për projektet që duan të realizojnë.
Inflacioni, ekspertët kërkojnë ulje të akcizës së karburanteve
Ekspertët e ekonomisë i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë me masa konkrete për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve, e cila sipas tyre do të ndikohet nga kriza botërore e ushqimeve. Sipas Gjergj Filipit, drejtor i Kërkimeve në Institutin “Agenda”, përveç nxitjes së prodhimit vendas bujqësor duhet ndërhyrë urgjent me ulje të akcizës për karburantet, një produkt ky që ndikon direkt në rritjen e kostos së jetesës në vend. Sipas ekspertëve, rritja e çmimeve, kombinuar me vendimin e qeverisë për taksimin me 10 për qind të të ardhurave personale të qytetarëve, ka tkurrur buxhetet familjare dhe ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse, duke rrezikuar krizë në ekonomi. Rritja e çmimeve rrezikon të shoqërohet me një thellim të nivelit të varfërisë në vend. Kriza botërore e ushqimeve parashikohet të zgjasë për një periudhë afatmesme, duke dhënë ndikim direkt në ekonominë tonë, pasi jemi një vend importues i produkteve ushqimore dhe lëndëve të para të industrisë.
6 Maj 2008