E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesat e biznesit për rrëzimin e neneve antikushtetuese



Përfaqësuesit e biznesit dhe të Dhomës Amerikane të Tregtisë i bënë thirrje qeverisë që të marrë parasysh sugjerimet e tyre, pasi drafti shkel të drejtat e biznesit dhe i kthen inspektorët tatimorë në policë apo konfiskues të mallit. Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Industrisë “Amcham”, kundërshtoi disa nene të projektligjit të ri "Për Procedurat Tatimore", që u diskutua në Kuvend. “Amcham” paraqiti vërejtje lidhur me nenet për parapagesën e 15 për qind të interesave dhe gjobave, fillimin e procedurave të falimentimit, si dhe sekuestrimin e llogarive bankare nga kreu i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, kur vërehen shkelje nga subjektet tregtare e prodhuese. Gjatë një konference për shtyp, përfaqësues të kësaj Dhome, thanë se “këto nene të këtij projektligji sjellin pasoja negative për biznesin, pasi i japin më shume pushtet administratës tatimore, ndërkohë që cenojnë të drejtat e biznesit”. Sipas tyre, “Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur zërin vazhdimisht, madje e ka çuar çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese lidhur me parapagesën e 15 për qind të interesave dhe gjobave dhe këmbënguli që ky nen të hiqet, pasi kështu paragjykohet përfundimi i ankimimit dhe penalizohet padrejtësisht biznesi”. “Amcham” kundërshtoi kalimin e përgjegjësive tatimore nga kompania tek aksionari, prekjen dhe sekuestrimin e llogarive bankare pa vendim gjykate, të mallit apo pronës nga Policia Tatimore etj. Këto vërejtje, biznesi ia ka parashtruar qeverisë shumë muaj më parë, atëherë kur drafti ishte ende në fazën e hartimit.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›