E Diel, 1 Nëntor 2026

Harta, në fshatra jetojnë 371068 votues pa pasaportë

Gjysma e kontingjentit prej 729710 shtetasish pa pasaporta dhe që në 28 qershor mbushin moshën e votimit, banojnë në fshat. Kjo e dhënë bëhet e mundur nga analizimi i hartës së shpërndarjes së këtyre personave në të gjitha njësitë vendore nga veriu në jug në Shqipëri. Kjo kategori është më e lakuara për pamundësinë e blerjes së kuponit të aplikimit për kartën e identitetit. Ditët e fundit, kreu i opozitës dhe funksionarë të tjerë kanë vizituar nga afër zona të fshatrave të ndryshëm. Qeveria nga ana e saj ka krijuar një "Task Force" për të përshpejtuar këtë proces në fshatra, por deri tani nuk është bërë publik ndonjë rezultat.

Ndarja

Në total rezulton se në komuna banojnë 371068 shtetas pa pasaporta dhe që duhet të votojnë në zgjedhjet e qershorit. Konkretisht, numrin më të madh e kanë komunat e Qarkut të Fierit me 53184 shtetas. Më pas vijnë komunat e Qarkut të Tiranës ku banojnë 49630 shtetas që nuk janë të pajisur me pasaportë. Në Qarkun e Elbasanit figurojnë 47909 shtetas që banojnë në fshat dhe nuk e kanë këtë dokument. Kartën e identitetit do të duhet ta marrin edhe 36681 banorë që jetojnë në fshatrat e Qarkut të Shkodrës. Në këtë listë qarqesh i vjen radha Dibrës, në rrethinat e të cilës figurojnë 34102 shtetas që kanë nevojë për një kartë identiteti në të kundërt nuk mund të votojnë. Në komunat e Qarkut të Korçës janë të evidentuar plot 33643 shtetas që nuk kanë pasaportë. Situata paraqitet më ndryshe në Qarkun e Durrësit ku janë të regjistruar 24696 shtetas, banorë të komunave dhe pa pasaportë. Nisur nga popullsia e Qarkut të Kukësit, kategoria e këtyre personave është relativisht e lartë, pasi numërohen në komuna plot 22878 persona. Tri qarqet e fundit në këtë renditje janë Berati, Lezha dhe Vlora; përkatësisht me 21537, 20911 dhe 16414 banorë komunash pa pasaporta. Pjesa tjetër prej 358442 shtetasish pa pasaporta rezultojnë banues në qytete. Nëse të dytët mund të vlerësohen më të mundshëm për të blerë kartën e identitetit, kategoria e parë sigurisht përbën problemin kryesor. Kjo për shkak të të ardhurave të pakta të atyre shtetasve që banojnë në komuna të ndryshme të vendit. Burimi kryesor i të ardhurave të tyre rezulton të jetë pensioni minimal dhe të ardhurat e prodhimit të pakët. Një tjetër element që krijon edhe më tej vështirësi është fakti se në një pjesë të mirë të këtyre zonave nuk janë ngritur qendrat e aplikimit për kartat e identitetit.

Task-Force

Një ndër vendimet e fundit të qeverisë ishte ai i krijimit të një "Task-Force" në funksion të procesit të aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti. Grupi Task-Force do të kryesohej nga zv/ kryeministri Genc Pollo dhe do të merrej me organizimin e lëvizjes në grup të qytetarëve që jetojnë në zonat të thella për t‘i dërguar pranë qendrave ku aplikohet me karta identiteti. Ashtu siç tha Kryeministri, autobusë dhe mikrobusë do të vendosen në dispozicion të të gjithë banorëve në zonat e thella të cilët në mënyrë të organizuar do të lëvizin drejt qendrave të aplikimit për kartat e identitetit. I gjithë ky shërbim do të subvencionohet nga qeveria. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha urdhëroi edhe mbajtjen hapur të qendrave të aplikimit të kartave të identitetit dhe gjatë fundjavës. Sipas vendimit të marrë, qendrat e aplikimit do të funksionojnë normalisht si në ditët e zakonshme dhe me orar të zgjatur.

Kushti

Pajisja e qytetarëve me dokumente të besueshme identifikimi është konsideruar nga komuniteti ndërkombëtar, si një nga kriteret kryesore që duhet të plotësojë qeveria për të realizuar zgjedhje të lira

Tabelë

Votuesit pa pasaporta që jetojnë në komuna

Komunat e Qarkut Fier 53184 shtetas

Komunat e Qarkut Tiranë 49630 shtetas

Komunat e Qarkut Elbasan 47909 shtetas

Komunat e Qarkut Shkodër 36681 shtetas

Komunat e Qarkut Dibër 34102 shtetas

Komunat e Qarkut Korçë 33643 shtetas

Komunat e Qarkut Durrës 24696 shtetas

Komunat e Qarkut Kukës 22878 shtetas

Komunat e Qarkut Berat 21537 shtetas

Komunat e Qarkut Lezhë 20911 shtetas

Komunat e Qarkut Vlorë 16414 shtetas

Komunat e Qarkut Gjirokastër 9483 shtetas



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›