Patozi: Do ta hetojmë Ramën deri në fund
Partia Demokratike vazhdon të insistojë për ngritjen e komisionit hetimor për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. "Partia Demokratike ka ndërmarrë një nismë parlamentare, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të hetojë dhe do t‘u tregojë të gjithë shqiptarëve se kush është Edi Rama dhe filozofia që ai përfaqëson", u shpreh nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi. Drejtuesi i lartë i selisë blu akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si krijuesin e një sistemi të tërë korrupsioni në Bashkinë e Tiranës. "Sistem me anë të të cilit kërkon të qeverisë nesër nëse do të vijë në pushtet", tha Patozi. Gjatë takimeve të zhvilluara në Komunat Kryevidh, fshatin Luz i Madh të komunës Lekaj dhe në Gose, Patozi tha se "vetëm pak ditë më parë Rama kërkoi të mblidhte KRRT-në e Tiranës ku dha 18 leje ndërtimi". Patozi shtoi se "akte të tilla të pastra korrupsioni, 15%-shat apo dy katet që jepen te Rama për çdo pallat të ndërtuar në Tiranë me aprovimin e tij, janë krejtësisht të papranueshme". Nënkryetari i Partisë Demokratike bëri me dije se "më mirë se Komisioni, do të jenë shqiptarët ata që më 28 qershor do largojnë Edi Ramën si nga Partia Socialiste ashtu dhe nga Bashkia e Tiranës". Përgjatë takimeve, Patozi u ndal konkretisht edhe në disa nga premtimet e bëra përgjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, dyfishimin e pensioneve në fshat, dyfishimin e pagave të arsimtarëve dhe infermiereve, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, investimet në infrastrukturë, si dhe uljen e taksave.