Rritje page për nënprefektin e Sarandës
Këshilli i Ministrave ka përfshirë në vendimin e marrë një vit më parë për rritjen e pagave të administratës së prefektit edhe nënprefektin e Sarandës. Ai do të përfitojë një pagë prej 87 mijë lekësh në muaj. Rritje pagash do të përfitojnë edhe sekretarët e Përgjithshëm të kësaj nënprefekture. Sipas relacionit shoqërues, ky vendim i Këshillit të Ministrave ka marrë shkas nga Urdhri Nr. 168, i datës 02.10.2007, i kryeministrit, i cili ngarkonte nënprefektin e rrethit Sarandë që të ushtronte funksionet e prefektit në rrethet Sarandë dhe Delvinë. Nisur nga kjo gjë, projektvendimi synon që të parashikojë riklasifikimin e pagës për funksionin e nënprefektit të nënprefekturës Sarandë, por edhe caktimit të pagës për pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të kësaj nënprefekture. Neni 2 i këtij vendimi përcakton se efektet financiare për vitin 2008 që rrjedhin nga ky vendim do të përballohen nga fondet e parashikuara për “Buxhetin e Shtetit të vitit 2008”, për institucionin e nënprefektit të Sarandës.
13 Mars 2008