E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja ridërgon në Kuvend projektligjin për kufizimin e imuniteti të deputetëve



Partia Demokratike do t’i rikthehet edhe njëherë projektligjit për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Në planin e punës së Kuvendit për muajin maj është parashikuar shqyrtimi i këtij projektligji. Krahas këtij projektligji do të shqyrtohen edhe disa projektligje të tjera tepër të debatuara nga Kuvendi, si projektligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. Burime pranë Partisë Demokratike shprehen se nisur nga konsensusi i gjerë me Partinë Socialiste kohët e fundit, ku u votuan unanimisht disa ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë, do të përfitohet që të ridiskutohet dhe kjo nisëm e vjetër të PD-së. Të njëjtat burime shprehen se nisur edhe nga ngjarjet e fundit në fshatin Gërdec, ku Prokuroria kërkoi imunitetin e Fatmir Mediu, është parë e domosdoshme miratimi i këtij projektligji. Ndryshe nga propozimi i projektligjit të parë, nisma e dytë e PD-së për këtë çështje ka pasur modifikime duke ndryshuar disa pika të projektligjit, duke e bërë atë më represiv. Në këtë projektligj të dorëzuar sipas kërkesës, është hequr fjala “72 orë”, e cila kishte të bënte me kohën kur fillonte ndjekja penale e një deputeti. Duke iu referuar projektligjit, fillimi i ndjekjes penale të një deputeti mund të bëhet jo më herët se 72 orë pas dërgimit të njoftimit me shkrim kryetarit të Kuvendit dhe deputetit subjekt hetimi nga prokurori i Përgjithshëm. Kryetari i Kuvendit vë në dijeni Kuvendin për kërkesën e prokurorit të Përgjithshëm në seancën më të parë plenare. Kjo përbën edhe nenin dy të projektligjit, i cili është ndryshuar duke e bërë që fillimi i ndjekjes penale të një deputeti mund të bëhet jo më herët se orë pas dërgimit të njoftimit me shkrim kryetarit të Kuvendit dhe deputetit subjekt hetimi nga prokurori i Përgjithshëm. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka bërë me dije se forca e tij politike ka depozituar në Kuvend projektligjin për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Sipas PD-së, ky ligj nuk do të prekë vetëm deputetët, por edhe një pjesë të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Patozi ka bërë me dije se nga kufizimi i mandatit do të preket edhe Gjyqësori. 27 deputetë të PD-së kanë firmosur projektligjin para se të depozitohej në Kryesinë e Kuvendit. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili në cilësinë e iniciatorit të nismës ka deklaruar se drafti synon që përballë korrupsionit askush të mos gëzojë mbrojtje dhe imunitet. “Me miratimin e shpejtë të këtij projektligji shumë të rëndësishëm, ne mund të rishikojmë të gjitha imunitetet e zyrtarëve të lartë të shtetit, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të plotësojmë siç duhet detyrimet tona ndaj institucioneve ndërkombëtare. Imunitet nuk kanë vetëm politikanët dhe deputetët, por kanë edhe zyrtarët e tjerë të lartë të këtij shteti, duke përfshirë edhe gjyqtarët, ndaj në çastin që klasa politike, ligjvënësit vendosin të kufizojnë imunitetin e tyre përballë akuzave për korrupsion, do të ishte mirë që të shikohen të gjitha imunitetet e zyrtarëve të këtij shteti, sepse është normale që askush të mos jetë i pakontrollueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për korrupsion”,- është shprehur Patozi.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›