Ligji, cilat ndërtime prishen nga fadromat e Inspektoratit
Ligji ka të përcaktuar qartë se cilat objekte përjashtohen nga çdo mundësi për t’u legalizuar. Ligji i vitit 2006 për legalizimin e zonave informale përjashton nga procesi i legalizimi të gjitha ndërtimet në bregdet si dhe ndërtimet informale që janë ndërtuar pas majit të vitit 2006. Në rast se një ndërtim është ndërtuar pas kësaj date si dhe në zonat bregdetare pa pasur leje ndërtimi, do të shemben pa mëshirë nga fadromat e Inspektoratit të Ndërtimit. Verifikimi tashmë ka nisur në të gjithë bregdetin. Ligji përcakton se përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset dhe veprat kryesore të infrastrukturës publike si për shembull, bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj, ose në integritetin e monumenteve të kulturës. Sipas ligjit, nuk do të legalizohen, në kuptim të këtij ligji, ndërtimet ose shtesat e ndërtimeve pa leje, të kryera brenda territoreve të shkollave dhe institucioneve të tjera publike. Asnjë ndërtim tjetër informal, nuk legalizohet brenda këtyre territoreve publike shtetërore.
Inspektorati mund të gjobisë shkelësit e ligjit
Inspektorati i Ndërtimit, gjatë verifikimeve, në rast se vërën shkelje, krahas pezullimeve të ndërtimit, mund të vendosë edhe gjoba. Gjobat e vendosura nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar në rastin kur nuk ankimohen nga kundërvajtësi në gjykatë, brenda afatit të përcaktuar në ligj, përbëjnë titull ekzekutiv. Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar paguan taksën për veprimet, që kryhen nga përmbaruesi gjyqësor, në fund të procesit të ekzekutimit të vendimit nga përmbarimi dhe në raport me shumën e ekzekutuar. Kur Inspektorati i Mjedisit, pranë Ministrisë së Mjedisit, gjatë ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vëren shkelje në fushën e urbanistikës në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, si zonat e mbrojtura mjedisore, monumentet e natyrës, rezervat ujore, është i detyruar të informojë menjëherë, Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar. Kur Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë, gjatë ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave të tyre të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e urbanistikës në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, si objektet me vlera të trashëgimisë kulturore dhe historike dhe arkeologjike, zonat turistike, janë të detyruar të informojnë menjëherë Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar. Ministritë dhe institucionet e varësisë së tyre janë gjithashtu të detyruara të informojnë menjëherë Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar ose atë vendor, kur, gjatë ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e ndërtimit, urbanistikës dhe të rezervave ujore. Inspektorati në mbështetje të këtyre informacioneve, me grup pune të përbashkët me përfaqësues të institucioneve publike, verifikon situatën në vend dhe, në rast se vëren shkelje zbaton procedurat ligjore në fuqi, si dhe brenda afateve të përcaktuara në ligj është i detyruar t’u kthejë përgjigje institucioneve përkatëse.
29 Prill 2008