Harxhi: Serbia të njohë shtetin e Kosovës
Në emër të qeverisë shqiptare, zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, shpreson që edhe Serbia t’i bashkohet vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës. Tirana zyrtare përshëndeti dje vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës, duke e konsideruar atë si një arritje të madhe të shtetit më të ri në botë. “Përgëzoj në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Kjo është një arritje tjetër e shtetit më të ri në botë, që është Kosova, në rrugëtimin e tij drejt vendosjes jo vetëm marrëdhënieve diplomatike, por edhe njohjeve të reja. Lidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi është shumë domethënëse për rajonin dhe për Ballkanin në përgjithësi, për vetë faktin që tashmë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me tri nga vendet që e rrethojnë, që i ka fqinjë të drejtpërdrejtë në rajon, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi”, - tha znj. Harxhi. Ajo shpreson që shpejt a vonë, kjo të shkojë edhe me fqinjin e katërt të Kosovës, që është Serbia dhe natyrisht të arrihet edhe njohja e plotë e Kosovës nga vende të tjera që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara.