E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca e jashtëzakonshme, Topalli: E kërkoi opozita

Socialistëve që u tërhoqën nga pjesëmarrja në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u kujtoi dje se ishin vetë ata që e kërkuan mbledhjen urgjente të këtij institucioni. Konferenca e Kryetarëve zyrtarizoi dje mbledhjen e Parlamentit në një seancë të jashtëzakonshme për situatën e shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër, pas kërkesës së bërë publike nga disa deputetë të Partisë Socialiste. Vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi se kjo seancë do të mblidhet të hënën pasdite. Duke iu përgjigjur deklaratave të bëra nga kryesocialisti Rama, i cili u shfaq me një qëndrim të ndryshëm nga ai i deputetëve të tij, Ilir Beqja dhe Englantina Gjermeni, për të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të ditës së hënë, Topalli u shpreh: “Kushtetuta është e kthjellët, e qartë në lidhje me afatet, skadimin, mbarimin e mandatit apo të bërjes së mandateve të pavlefshme. Rregullat nuk i bëj unë. Unë zbatoj rregullat. Rregullat janë votuar me konsensus, të shkruara nga z. Rama, nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të votuara me një numër më të madh votash nga ai, me të cilin u miratuan ndryshimet kushtetuese të propozuara përsëri nga deputetët e Partisë Socialiste". Topalli u kërkoi anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve që ta mbështesin për modifikimin e kalendarit, që sipas saj, është një ndryshim në draft-kalendarin që ishte përgatitur nga byroja juridike në plotësim të kërkesës së deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan që ditën e hënë të jetë një seancë e jashtëzakonshme për Qarkun e Shkodrës. “Ju kërkoj të më mbështesni në plotësimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për të modifikuar kalendarin, për të mos e bërë seancën ditën e enjte siç ishte menduar, por për të bërë seancë plenare ditën e hënë”, - tha Topalli. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, bëri të qartë se ka qenë korrekte me veprimin e saj, duke iu dërguar letër të gjithë deputetëve socialistë dhe duke i ftuar t'i japin fund bojkotit e duke i paralajmëruar se mandati i tyre digjet nëse nuk bëjnë betimin deri më 6 mars. Në një prononcim për shtyp pas Konferencës së Kryetarëve, zonja Topalli deklaroi se veprimi i saj ka qenë institucional e njerëzor dhe se deputetët e PS-së duhet të ushtrojnë detyrën e tyre si deputetë në mënyrë individuale. “Komunikimi im përmes letrës ka qenë institucional. Ftesa ka qenë institucionale. Nuk ka qenë një ftesë as për cirkun e Tiranës, as për klubin e rrenave. Çështja e mandateve është çështje e deputetëve, nuk është çështje e subjekteve politike. Betimi është individual, vota është individuale, mandati i deputetit është personal dhe detyrimi i tyre është që ta ushtrojnë këtë mandat. Unë kam qenë shumë korrekte dhe institucionale, por kam qenë dhe po aq e njerëzishme, duke i dërguar secilit prej tyre letër me respektin që iu takon si deputetë që KQZ-ja u kanë dhënë mandatin”. Pas hapit të mazhorancës për të pranuar kërkesën e deputetëve socialistë për një seancë të jashtëzakonshme që do t’i ulte ata në sallën e Parlamentit, duke shënuar dhe fundin e bojkotit, vendimi u takon vetë deputetëve të pabetuar të opozitës. Disa prej tyre, të njohur për qëndrimet kundër politikës së kryetarit Rama, e kanë bërë të qartë se nuk do ta djegin mandatin, në respekt të Kushtetutës dhe zgjedhësve të tyre. Në letrën e saj dërguar deputetëve të PS-së, zonja Topalli saktësonte se më datë 6 mars mbushen 6 muaj nga mbledhja e Parlamentit të ri. Në letër ajo informonte deputetët e opozitës për datat e seancave të Parlamentit dhe shkruan se në këto seanca këta deputetë, kanë mundësi të ndërpresin bojkotin e të mos lejojnë mbarimin e mandatit për shkak të mosbërjes së betimit apo të mospjesëmarrjes në punimet e Parlamentit për 6 muaj rresht, siç parashikon Kushtetuta. Gjithsesi Topalli informoi gjithashtu se të hënën do të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve në Shkodër. Në Konferencën e Kryetarëve të mbledhur paraditen e djeshme nuk mori pjesë asnjë nga deputetët e opozitës. Tri ditë më parë, deputeti Ilir Beqja deklaroi se për çështje të tilla të jashtëzakonshme opozita do të jetë në Kuvend, ndërkohë deputeti Kastriot Islami theksoi se ka ardhur momenti i futjes në Kuvend, pasi zgjedhjet janë certifikuar si nga komisionerët, ashtu edhe nga Kolegji Zgjedhor e faktori ndërkombëtar.
6 marsi është afati i fundit kur opozita mund të futet në Parlament, ndryshe rrezikohet mandati i deputetëve socialistë. Deri më sot nga kampi opozitar është paraqitur në sallën e Kuvendit vetëm kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›