E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca e jashtëzakonshme, PS tërhiqet: Nuk hyjmë në Kuvend

Socialistët distancohen nga qëndrimi i disa kolegëve deputetë, të cilët ishin deklaruar për hyrjen në Kuvend në rast të një seance të jashtëzakonshme për përmbytjet në Qarkun e Shkodrës. Deputeti Taulant Balla njoftoi dje se opozita nuk do të hyjë në Parlament, pasi e quan të vonuar mbajtjen e kësaj seance për Shkodrën. Sipas Ballës, deputetët e PS-së nuk do të djegin mandatin e tyre, por atë të qeverisë.
“Znj. Jozefina është kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, për aq kohë që sipas nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, seanca e të hënës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e parë e sesionit të ri kuvendor. Zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse kur puna dhe liqeni u derdhën mbi Shkodër ajo ja mbathi për turizmin politik të radhës dhe për shoping”, - deklaroi Balla. Prandaj, shtoi ai, znj. Topalli t’i lërë diversionet me seanca të jashtëzakonshme e me djegie mandatesh të deputetëve socialistë, sepse jo vetëm që nuk kemi ndërmend t’ia falim ato mandate Sali Berishës, por me fuqinë e jashtëzakonshme të popullit do të djegim mandatet dhe mandatin e këtij Parlamenti dhe kësaj qeverie përmes protestave që nuk do të ndalen, nëse Saliu dhe zonja Jozefinë nuk pranojnë të hetohen dhe të hetohen kutitë ku mbahen peng e vërteta e mandateve të këtij Parlamenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›