E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has-Qafë Prush, shtyhet afati i punimeve

HAS - Rruga që do të lidhë Hasin me Gjakovën nëpërmjet pikëkalimit kufitar të Qafë Prushit nuk do t’u shërbejë këtë verë turistëve nga Kosova. 

Ata sërish duhet të shfrytëzojnë rrugën nga Morini i Kukësit për të mbërritur në plazhet e Shqipërisë. Duket se shkak për shtyrjen e afatit të përfundimit të rrugës nuk kanë qenë vonesat e firmave ndërtuese, por nisja e projektit e cila ka qenë e vonuar. Ky segment është tërësisht i amortizuar dhe ndërtimi i saj do të zgjidhë lehtësisht fluksin e udhëtarëve dhe të krijojë shpejtësi në lëvizjen e tyre. Segmenti rrugor Krumë-Qafë Prushi është 16 km i gjatë, i ndarë në dy lote, përkatësisht 9 dhe 6 km. Sipas nënkontraktorëve ka përfunduar 80% e mureve mbajtëse dhe synohet që para afatit të nisë asfaltimi në muajin qershor në lotin e parë Krumë-Plepa. Nuk ka pasur probleme shpronësimesh, ndërkohë që janë punësuar rreth 100 punëtorë vendas. Aktualisht, numri i udhëtarëve është shumë i kufizuar dhe pse në qytetet bregdetare ka nisur sezoni turistik. Përfundimi i rrugës dhe statusi i doganës pritet të shënojë më tepër qarkullim të njerëzve dhe mallrave në këtë skaj kufitar.                                                                             j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›