E Diel, 1 Nëntor 2026

Trakte fashiste në Elbasan, me thirrje nxitëse kombëtare

ELBASAN – “Partia e Adolf Hitlerit e shpëton Shqipërinë nga grekët e serbët”. 

Këto fjalë të shtypura në letra me format A4 janë shpërndarë nëpër qytetin e Elbasanit gjatë mbrëmjes të së premtes dhe mëngjesin e djeshëm. “Traktet”, të cilat mbanin mbishkrimin e partisë naziste, janë shpërndarë dorazi nga ana e disa të rinjve që nuk janë mundur të identifikohen nga policia. Sapo ka marrë sinjalizimet për përmbajtjen e letrave të shpërndara, ka nisur menjëherë hetimi për këtë trakt, nismëtare e të cilit, siç shënohet në të është Partia Fashiste. Në rreshtat e shkruar në kompjuter dhe të printuar në një format A4, thuhet se Partia Fashiste është ajo që merr përsipër të shpëtojë Shqipërinë nga grekët dhe jugosllavët. Gjithashtu, në to përmendet dhe kreu i nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Adolf Hitleri dhe një biografi mbi jetën dhe veprimtarinë e tij politike e ushtarake. Në fund të letrës ishte e stampuar dhe një fotografi e Hitlerit, dalë pranë kullës “Eifel” në Paris, pak kohë para se të vriste veten bashkë me gruan me të cilën jetonte. Në orët e mbrëmjes së djeshme kjo broshurë është zhdukur nga qarkullimi dhe vendet publike në të cilat ishte vendosur. Për shkak të fjalive nxitëse kundër kombësive të tjera fqinje, të kopjuara nga sistemi totalitar-fashist, policia e qytetit nisi hetimet, me qëllim identifikimin e autorëve dhe qëllimin e tyre.
Gjatë gjithë ditës së djeshme, grupet e gatshme kanë intensifikuar kontrollet, kryesisht në qendrën e qytetit, pranë dy institucioneve kryesore, prefekturës dhe bashkisë së Elbasanit, vende në të cilat vendosen broshura e njoftime nga më të ndryshmet.             a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›