Has; Shkrumbohet shtëpia, digjet brenda fëmija 3 vjeç
Shkrumbohet një banesë në fshatin Golaj të rrethit të Hasit, humb jetën fëmija 3 vjeç. Gjithçka ndodhi brenda një kohe të shkurtër, si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik. Sipas burimeve zyrtare të komisariatit të policisë së Hasit, 3-vjeçari, fëmija i Agim Lushajt nga fshati Golaj i rrethit të Hasit, humbi jetën rreth orës 08:30, pasi shtëpia e tij u përfshi nga zjarri, si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik. Po sipas të njëjtit burim zyrtar policor, zjarri i fuqishëm ra në banesën e vëllezërve Besnik e Agim Lushaj. Mësohet se personat e ndodhur afër vendngjarjes nuk mund të ndërhynin për të shpëtuar fëmijën 3 vjeç të Agimit, i cili ka qenë i vetëm në shtëpi, pasi pjesëtarët e tjerë të familjes kanë dalë për t'u kujdesur për të mbjellat. Forcat e policisë, që kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, kanë nisur hetimin për shkaqet e rënies së zjarrit të fuqishëm, që paraprakisht mendohet se ka qenë një qark i shkurtër elektrik. Në rrethin e Hasit, ndonëse që në fillim të vitit janë djegur 3 banesa, ende nuk ka të instaluar një zjarrfikëse.