E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet pas një viti gëzhoja e vdekjes së Gani Kamberit

U desh plot një vit që të gjendej gëzhoja e dalë nga qitja e armës së zjarrit që shkaktoi vdekjen e Gani Kamberit. U fol dhe u përfol për vetëvrasje apo vrasje të mundshme, ndërkohë që për afro nëntë muaj hetime, as edhe kur është këqyrur vendi i ngjarjes, nuk u arrit të gjendej gëzhoja e dalë pas kryerjes së aktit vrasës apo vetëvrasës. Sipas burimeve konfidenciale pranë grupit hetimor, të ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, u bë e ditur se gëzhoja e armës së zjarrit, e cila ende nuk është përcaktuar nëse është ajo që ka shkaktuar vdekjen e Kamberit, është gjendur ditët e fundit gjatë riekspertimit të vendit të ngjarjes nga specialistët e kriminalistikës dhe prokurorisë. Sipas këtyre burimeve, zbulimi i kësaj gëzhoje është bërë i mundur falë këqyrjes së imtësishme me pajisje metalkërkuese bashkëkohore të vendit të ngjarjes, ku tetorin e kaluar u gjend trupi i pajetë i Gani Kamberit. Burimet e mësipërme konfirmuan dërgimin e gëzhojës për ekspertizë në Laboratorin Qendror Kriminalistik në Tiranë, për të parë nëse ajo i përket apo jo armës tip pistolete të gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale pranë trupit të viktimës. “Nëse ekspertiza provon që gëzhoja nuk i përket kësaj arme, atëherë ka dyshime të forta se mund të kemi të bëjmë me një vrasje të shtetasit Gani Kamberi. Megjithatë, kjo mbetet për t'u parë pas përfundimit të kësaj procedure hetimore”, - përfunduan burimet e prokurorisë. Shtetasi Gani Kamberi, 45 vjeç, u gjend i vdekur me një plumb në pjesën e pasme të kokës, tetorin e vitit 2007 buzë një përroi në komunën e Kasharit. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët gjetën pranë trupit të viktimës vetëm një pistoletë, të cilën e sekuestruan si provë materiale. Fillimisht nga strukturat e rendit u ngritën dyshime se në këtë rast kishim të bënim me një vetëvrasje. Por, hetimet për këtë ngjarje janë rihapur disa javë më parë nga prokuroria pas pretendimeve të familjareve të viktimës se Gani Kamberi ishte vrarë. Për llogari të hetimit prokuroria urdhëroi zhvarrosjen e kufomës së Gani Kamberit, e cila iu nënshtrua edhe një herë ekzaminimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Emri i Gani Kamberit figuronte në listën e kallëzuesve për çështjen e abuzimit me pronat në komunën e Kasharit, madje të njërit prej personave që dha detaje të rëndësishme për mbivendosjen e pronave në Kashar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›