E Diel, 1 Nëntor 2026

Poli i Lirisë, negociatat ngecin te kreu i koalicionit

 

ADI SHKEMBI

Poli i Lirisë bie parimisht dakord për arritjen e një marrëveshjeje parazgjedhore, por një pikë e cila ende nuk po gjen konsensusin e dy prej tre krerëve kryesorë të Polit është drejtimi i tij. Burime nga ky grupim, i cili përfshin PDK-në, LZHK-në dhe partinë e Ngjelës, bëjnë të ditur se ish-deputeti i PD-së ka kërkuar që Poli të ketë kryetar. Sipas tij, para se krerët e këtyre partive t’i drejtohen elektoratit për t’i kërkuar votën, duhet të përcaktojnë kreun e Polit. I kontaktuar nga gazeta, avokat Ngjela thotë se tri forcat që do të jenë edhe boshti i polit janë ende në bisedime. “Jemi ende në bisedime dhe nuk e kemi mbyllur akoma. Akoma nuk bëhet fjalë që të ketë kryetar Poli, por do funksionojmë si parti të veçanta. Ka shumë mundësi që të dalim në një marrëveshje paszgjedhore. Megjithatë shumë shpejt do të dalim në një vendim të përbashkët”, theksoi ish-deputeti i PD-së, tani kryetar i Partisë për Ligj dhe Drejtësi. Nga ana tjetër, kreu i PDK-së, Nard Ndoka dhe ai i LZHK-së, Dashamir Shehi i qëndrojnë mendimit se duke parë edhe Kodin Zgjedhor nuk është e nevojshme që Poli të ketë kryetar. “Nuk ka asnjë arsye që Poli i Lirisë të ketë kryetar. Këtë nuk e kërkon as Kodi Zgjedhor, pra nuk është një pengesë. Gjithsesi të gjitha modalitetet do të vendosen në ditët e ardhshme, kur të bëhet marrëveshja. Në përgjithësi të gjitha partitë do të bëjnë fushatë më vete, por takimet e rëndësishme, siç mund të jetë për shembull mitingu përmbyllës, do të jetë i përbashkët”, theksoi Ndoka për gazetën. Ndërsa sipas kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, “nesër (sot) e kemi lënë që të zhvillojmë një takim me Ndokën e Ngjelën dhe të shtunën mund të kemi daljen e parë publike. Poli nuk do të ketë kryetar, sepse edhe në bazë të ligjit të ri zgjedhor nuk do të votohet Poli, por secila parti do të marrë votat e saj”. Avokat Ngjela ka zhvilluar dje paradite një takim me kreun e PDK-së, Nard Ndoka dhe kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, ndërkohë që sot pritet të zhvillohet një tjetër takim mes tyre, ku bisedimet do të përqendrohen te përcaktimi i modaliteteve të marrëveshjes.

NGJELAJemi ende në bisedime
Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi thotë në një prononcim për gazetën, se Poli i Lirisë është ende duke biseduar për nënshkrimin e një marrëveshje. Megjithatë i pyetur nëse Poli duhet të ketë një drejtues gjatë fushatës elektorale, ai u shpreh se ende bisedimet nuk janë orientuar drejt termave konkretë. “Jemi ende në bisedime dhe nuk e kemi mbyllur akoma. Ende nuk bëhet fjalë që të ketë kryetar Poli, por do funksionojmë si parti të veçanta. Ka shumë mundësi që të dalim në një marrëveshje paszgjedhore. Megjithatë shumë shpejt do të dalim në një vendim të përbashkët”, theksoi Ngjela.

NDOKA: Nuk na duhet kryetari
Sipas kreut të Partisë Demokristiane, nuk është e nevojshme që Poli i Lirisë të ketë kryetar, gjithsesi ai lë gjithçka të hapur teksa thotë që detajet do të jenë pjesë e bisedimeve ditët e ardhshme. “Nuk ka asnjë arsye që Poli i Lirisë të ketë kryetar. Këtë nuk e kërkon as Kodi Zgjedhor, pra nuk është një pengesë. Gjithsesi të gjitha modalitetet do të vendosen në ditët e ardhshme kur të bëhet marrëveshja. Në përgjithësi të gjitha partitë do të bëjnë fushatë më vete, por takimet e rëndësishme, siç mund të jetë për shembull mitingu përmbyllës do të jetë i përbashkët”, thekson Ndoka.

SHEHI: Nuk do ketë DREJTUES
Më i prerë në këtë drejtim është kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, i cili thekson se në bazë të Kodit do të votohet secila parti më vete, çka do të thotë se s’ka arsye të ketë drejtues. “Nesër (sot) e kemi lënë që të zhvillojmë një takim me Ndokën e Ngjelën dhe të shtunën mund të kemi daljen e parë publike. Poli nuk do të ketë kryetar, sepse edhe në bazë të ligjit të ri zgjedhor nuk do të votohet Poli, por secila parti do të marrë votat e saj. Marrëveshja të shpresojmë që ta nënshkruajmë në fillim javës u vonua pak për shkak të regjistrimit të partisë së Ngjelës. Ndërsa tani me arritjen e marrëveshjes jemi gati të dalim në fushatë”, thotë Shehi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›