E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimet, shteti humb gjyqet

 

Aristir Lumezi

Shteti shqiptar ka humbur 91 për qind të gjyqeve me të larguarit nga puna. Kjo shifër vjen nga shqyrtimi që i ka bërë Gjykata e Apelit çështjeve që më parë i kishte dhënë të drejtë Komisioni i Shërbimit Civil. “Janë shqyrtuar në Gjykatat e Apelit (të cilat janë gjykata që trajtojnë ankesat e institucioneve ndaj vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil, siç parashikon neni 8, pika 3, paragrafi II,  i Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi Nëpunësit Civil” ) 67 vendime të Komisionit të Shërbimit Civil, nga të cilat 7 prej tyre janë ndryshuar ose prishur, shifër kjo që zë rreth 9 % të vendimeve të dhëna në favor të nëpunësve civil dhe të atakuara nga institucionet. Lënia në fuqi të vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil nga Gjykatat e Apelit në masën 91 për qind tregon për një cilësi të punës së KSHC-së dhe një vendimmarrje të mbështetur vetëm në ligj”, thuhet në raportin vjetor të Komisionit. Në këtë pikë vlen të vlerësohet puna e mirë e komisionit, e cila duket se ka vepruar si një gjykatë e vërtetë, por duke marrë dhe vendime realiste dhe objektive. 
“Shqyrtimi dhe zgjidhja me objektivitet e ankesave, duke u bazuar në ligj dhe duke zbatuar me korrektësi procedurat ligjore të shqyrtimit, ka qenë prioritet i punës së Komisionit të Shërbimit Civil, pasi lidhet me garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të nëpunësve civilë, si dhe besueshmërinë e tyre dhe të organeve të administratës ndaj institucionit të KSHC”, thuhet në raportin e komisionit. Por komisioni vëren gjithashtu se problemi tjetër i madh i administratës shtetërore, pas vendimit të Shkallës së Apelit, është ekzekutimi i vendimeve. Ndërsa në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim Taksave, ka hyrë në veprim përmbaruesi gjyqësor, i cili ka ekzekutuar 24 vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil në favor të punonjësve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të cilat janë shndërruar në tituj ekzekutiv pas përfundimit të të gjitha shkallëve gjyqësore, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për institucionet e tjera. Ende vazhdon të mbetet problem zbatimi i vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil, kur institucionet nuk janë ankuar në gjykatë pas përfundimit të afatit ligjor. Si shembull në raport merret rasti i Ministrisë Drejtësisë, ku institucioni raporton 2 vendime të Komisionit të Shërbimit Civil, të cilat nuk janë ankimuar në gjykatë dhe nuk janë zbatuar prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›