E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has, tenton të vjedhë bankën, plagos rojën dhe largohet

Një person i armatosur dhe i maskuar ka tentuar të vjedhë një bankë, por është përballur me rojën, të cilin e ka qëlluar duke e lënë të plagosur. Burime zyrtare të policisë së Kukësit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Krumës, kur një person i armatosur dhe i maskuar tentoi të hynte në ambientet e brendshme të degës së Raiffeisen Bank. Mësohet se autori ka hasur në rezistencën e rojës së bankës, Fadil Lushaj. Ai ka reaguar menjëherë duke qëlluar me armë rojën, i cili mbeti i plagosur.
Sipas policisë, personi u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa forca të shumta policie mbërritën pranë bankës për të bërë këqyrjen e provave. Ndërkohë, roja Fadil Lushaj u transportua në spitalin e Kukësit, nga ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë. Autori, i cili tentoi të vidhte bankën vetëm 50 metra larg komisariatit të policisë së rrethit ende nuk është identifikuar nga policia, e cila ka nisur hetimet. Grupi hetimor ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes, por sipas deklarimeve të autorëve autori ka qenë i maskuar dhe nuk kanë dhënë detaje fizike të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›