Bosch: Glover çështje e mbyllur, aplikoni për karta identiteti
Vetëm pak minuta pas miratimit të listës së vëzhguesve ndërkombëtare nga KQZ-ja, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, gjatë një vizite në qytetin e Kukësit, e cilësoi si problem të kapërcyer, refuzimin e qeverisë për ambasadoren e ODIHR, Glover. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetareve, Bosch tha se personalisht ai nuk ka asnjë problem dhe sqaroi se OSBE dhe ODIHR janë institucione të ndryshme.
Ambasadori Bosch u bëri thirrje banorëve të aplikojnë sa më shpejt për kartat e identitetit, si një mënyrë për të kontribuar në zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve. Vetëm duke u pajisur me karta qytetaret do të kontribuojnë për zgjedhje me standarde, u shpreh Bosch. Ambasadori u shpreh optimist për zgjedhjet e qershorit, ndërkohë që vlerëson ecurinë në të gjitha njësitë vendore. Kështu, Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch, gjatë vizitës që zhvilloi në Kukës, pa nga afër projektet e zhvillimit dhe u takua me zyrtarë lokalë, përfaqësues të forcave politike dhe me gratë. Ai bëri thirrje për rritjen e rolit të gruas në aktivitete politike duke përmendur në këtë rast faktin se ende listat e partive politike nuk kanë përfunduar, por ideja është se 30 për qind në listat e partive politike duhet të jenë gra. Është e domosdoshme që edhe vetë gratë të luftojnë në këtë drejtim, theksoi Bosch. Gjithashtu Bosch tha se, pjesëmarrja e fëmijëve në mitingjet elektorale të forcave të ndryshme politike nuk është ndonjë mëkat i madh. Edhe unë kur kam qenë i ri kam dalë nëpër rrugë duke mbajtur pankarta, bile në atë kohë ka qenë një gjë tepër zbavitëse e mbresëlënëse dhe nuk më ka detyruar kush, theksoi Bosch.