E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, shkëputet masivi shkëmbor, humbin jetën 2 punëtorët e gurit

Dy punëtorë kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa punonin për nxjerrjen e pllakave në fshatin Novaj në Poliçan. Shkëputja e një masivi dheu mësohet të ketë zënë poshtë punëtorët, të cilët kanë qenë duke gërmuar për nxjerrjen e gurit dekorativ, ndërsa shumë pranë vendit të ngjarjes kanë qenë dhe punëtorë të tjerë që fatmirësisht skanë pësuar asnjë lëndim. Lili Tumai, 52 vjeç dhe Jani Pirko, 46 vjeç, banorë të Urës Vajgurore, kishin nisur punën ashtu si çdo ditë tjetër për nxjerrjen e gurit dekorativ në vendin e quajtur Gorica e Parë në fshatin Novaj, e cila njihet si zona më e madhe e nxjerrjes së gurit dekorativ. Por, ndërsa kanë punuar për vetëm një orë, rreth orës 07:30 një masiv dheu mësohet të jetë shkëputur nga pllaja ku nxirreshin gurët dhe ka zënë poshtë dy punëtorët që ndodheshin shumë afër zonës. Kanë qenë punëtorët e tjerë, të cilët i kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke i nxjerrë nga masivi i dheut dhe pllakave, por fatkeqësisht nuk mundën ti shpëtojnë nga vdekja. Ata u transportuan më pas drejt morgut të spitalit rajonal në Berat, ku dhe u tërhoqën nga familjarët. Drejt fshatit të largët Novaj kanë mbërritur me urgjencë ekspertët e policisë së Beratit, që nisën hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Nga hetimet e para është mësuar se dy punëtorët punonin prej disa muajsh në firmën e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit dekorativ me pronar Gentian Qaton. Ky i fundit mësohet se është shoqëruar në polici, ku dhe është marrë në pyetje rreth ngjarjes. Policia deklaroi se po hetohet rreth aktivitetit të kësaj firme, zbatueshmërisë së kushteve teknike në punë. Sapo është mësuar ngjarja e humbjes së jetës së dy punëtorëve nga qyteza e Urës Vajgurore, të cilët punonin për të mbajtur familjet e tyre dhe qindra punëtorë të tjerë që punojnë për nxjerrjen e gurit kanë ndërprerë punën menjëherë. Punëtorët e pakët që kanë ngelur në zonë shprehen mjaft të rezervuar se puna që ata bëjnë është tejet e vështirë, por është e vetmja mundësi për të mbajtur familjet. Përveçse duhet të përshkruajnë një rrugë tejet të largët dhe të vështirë, ata përballen dhe me rrezikun që vjen nga procesi i punës. Moszbatimi i rregullave bën që herë pas here nga gërmimi për nxjerrjen e gurit të shkaktohen dhe rrëshqitje të masiveve të mëdha të dherave dhe shkëmbinjve. Disa punëtorë në vite kanë humbur jetën gjatë punës për nxjerrjen e gurit, ndërkohë që asnjë masë nuk është marrë për drejtuesit e firmave, të cilët në shumë raste nuk marrin mundim as të sigurojnë punëtorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›