Matura, rezultatet, gati javën e ardhshme
Provimet e matematikes për rreth 34 mijë e 400 maturantë në të gjithë vendin kanë përfunduar së korrigjuari. Rezultatet përfundimtare të tyre pritet që të bëhen publike në ditët e para të korrikut. Një lajm i tillë konfirmohet nga vetë drejtuesit e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve (AVA). Plot 155 mësues të matematikës qëndruan për një javë të mbyllur në katër qendrat e vlerësimit të këtyre testeve, respektivisht në Tiranë, në Elbasan, Shkodër dhe Fier. Ata nuk kanë pasur mundësi që të njohin identitetin e maturantëve, fletët e provimit të të cilëve kanë korrigjuar. Gjithashtu, korrigjimi i matematikës, ashtu sikundër edhe ai i letërsisë, është shoqëruar përmes një metode të një vlerësimi të dyfishtë. Nga ana tjetër, të rinjtë do të duhet që të presin deri në ditët e para të korrikut për të mësuar se cili do të jetë rezultati i dytë i provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Kjo, për shkak të procesit të lidhjes së të dhënave të tyre, që nga drejtuesit e AVA-s ndryshe quhet "Matching". Secili nga testet fsheh pas një bar-kodi të personalizuar, identitetin e çdo maturanti. Pas korrigjimit, këto bar-kode shkodohen përmes një programi special kompjuterik, të hartuar posaçërisht për të ruajtur sekretin e Maturës Shtetërore. Rezultatet u shpërndahen Drejtorive Arsimore, të cilat i bëjnë publike, duke i afishuar në të gjitha shkollat e vendit. Aktualisht, maturantët, të cilët dëshirojnë që të ndjekin studimet e larta në universitetet brenda apo jashtë vendit, detyrohen që t’u nënshtrohen edhe një provimi të lëndëve me zgjedhje. Në të vërtetë, ata do të duhet të kryejnë dy testime në të njëjtën ditë, në dy lëndët e preferuara, rezultatet e të cilave do t‘u garantojnë më pas edhe auditorët universitarë. Menjëherë pas daljes së notës së matematikës, maturantët do ta kenë më të lehtë të plotësojnë Formularin A2 me dhjetë preferencat që kanë.