E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i lartë “Nënë Tereza” për mikun e shqiptarëve Al Bano Karrizi

Presidenti Bamir Topi ka dekoruar dje me urdhrin e lartë “Nënë Tereza këngëtarin e njohur italian. Al Bano Karrizi: “Kam një lidhje të veçantë me Shqipërinë”

Ditën e djeshme këngëtari i njohur italian Al Bano Karrizi ka ardhur në kryeqytetin shqiptar për të marrë një urdhër të lartë nderimi siç është ai i Nënë Terezës. Në një ceremoni të zhvilluar dje në Pallatin e Brigadave, presidenti i republikës Bamir Topi ka dekoruar artistin italian me zemër “shqiptare” me urdhrin e lartë “Nënë Tereza”. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit dhe motivacionit përkatës nga sekretari i përgjithshëm i presidentit, Aleksandër Flloko, këngëtarit i është dorëzuar urdhri i nderit nga prof. dr. Bamir Topi. Motivacioni në fakt, ka të bëjë me kontributin e shquar që artisti ka dhënë në muzikën italiane me artin dhe talentin e tij, si dhe për vlerat artistike e humane, të cilat Al Bano ka ditur t’i tejçojë më së miri ndaj publikut shqiptar, duke shfaqur një dashuri të madhe për vendin tonë, por edhe duke mbrojtur parimet e të drejtat e një shoqërie demokratike e të lirë. Duke e falënderuar presidentin shqiptar për nderimin që i bëhet, Al Bano është shprehur se “Për mua është më e lehtë të këndoj se të flas, mbi të gjitha pasi dëgjova motivacionin e këtij takimi, motivacion tepër emocionues. Për Shqipërinë kam dëgjuar qëkurse isha i vogël, e më pas kuptova se më parë vinte Shqipëria ‘Albania’, e pastaj Al Bano. Kam dëgjuar gjithnjë valët muzikore ‘Shqipëria nëpër botë’ e më kujtohej se që fëmijë sintonizohesha me radion, me radion e vogël që im atë kishte blerë, e cila kapte tinguj që vinin nga Shqipëria, këngë e pjesëza, falë afërsisë mes dy vendeve tona. Emocionues ka qenë edhe takimi i parë me Shqipërinë që shënon vitin 1985. Im atë, pasi pësoi infarkt, më kërkoi: ‘Përpara se të vdes, ti duhet të më çosh në Shqipëri’. Ishte im atë që më nxiti të vij këtu, që, si për të dhe për mua, ishte emocion tepër i madh. Vura re një reagim shumë të madh e të bukur nga ana e tij që, më tregonte se ku duhej ta çoja dhe që kudo, gjithçka ishte siç e kishte lënë ai.” Këngëtari i shquar, vijon më tej fjalën e tij duke thënë se “Mund ta përkufizoj raportin tim me Shqipërinë thjesht të bazuar tek emocioni që ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme, pikërisht më 19 shtator 1989, me koncertin e dhënë në stadiumin e Tiranës dhe në Pallatin e Kongreseve. Pra, kam qenë dëshmitar i një ndryshimi pozitiv e sot jemi këtu për të celebruar edhe atë moment. S’e kisha menduar kurrë se mund të takoja presidentin e republikës, z.Topi, në ‘Sanremo’. Nëse do të kishte qenë e mundur, do ta kisha ftuar të këndonte së bashku me mua. Është e sigurt se do të kishim pasur një sukses të madh. Mes këtyre emocioneve, më mbetet vetëm një gjë për të thënë ‘Falemnderit Shqipëri! Falemnderit z. President! Falemnderit shqiptarë!’” Al Banos iu dhurua edhe një bust, vepër e skulptorit Skënder Tena, gjest për të cilin artisti u shpreh mjaft i impresionuar. Në përfundim të ceremonisë zyrtare ku merrnin pjesë miq të Al Banos dhe përfaqësues të shoqatës me të njëjtin emër, presidenti Topi zhvilloi një takim të shkurtër me këngëtarin e parë Perëndimor, i cili në vitin 1989 mundi të japë një koncert në Shqipërinë e izoluar nga diktatura komuniste. Në anën tjetër, edhe Al Bano Karrizi i bëri presidentit shqiptar një dhuratë modeste; librin “Al Bano & Albania” me autografin e artistit të njohur.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›