E Diel, 1 Nëntor 2026

KSHC: Të shfuqizohet urdhri i Kryeministrit për kontratat e punës

Në raportin e dytë të KSHC-së së firmosur nga të gjithë anëtarët, rekomandohet vendosja e sanksioneve për drejtuesit e administratës, që nuk zbatojnë vendimet e KSHC-së

TIRANË- Komisioni i Shërbimit Civil, ka mundur më së fundi që të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të miratojë me konsensusin e të katër anëtarëve, raportin e veprimtarisë vjetore të këtij institucioni.

Por, natyrisht që një gjë e tillë është bërë e mundur me lëshimin që ka bërë kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Hysenaj, e cila ka pranuar që në këtë raport të përfshihen edhe një sërë problematikash, që ka vërejtur ky institucion, gjatë ushtrimit të detyrave të tij, lidhur me zbatimin nga administrata shtetërore e ligjit të nëpunësit civil.

Kështu, ndryshe nga sa përmbante draft-raporti i parë, që për shkak se ishte firmosur vetëm nga kryetarja nuk u pranua të merrej në diskutim as nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, në raportin e ri evidentohet në mënyrë të qartë problematika që ka ekzistuar në sensibilizimin e institucioneve publike, në zbatimin e ligjit për rekrutimet në punë.

Në këtë raport pranohet se KSHC-ja ka informuar rregullisht strukturat e shtetit për raportet e mbikëqyrjes të bëra në administratën që përfshihet në shërbimin civil, por nuk ka mundur të sensibilizojë këto struktura për të marrë masat përkatëse në zbatimin e ligjit.

Prandaj, në të theksohet se puna e këtij institucioni nuk duhet të qëndrojë vetëm në evidentimin e rasteve, por edhe në detyrimin e institucioneve për të zbatuar ligjin. Një tjetër problem i vërejtur nga KSHC-ja, për vitin që lamë pas, janë edhe rekrutimet në masë që po bëhen nga titullarët e institucioneve nëpërmjet punësimit me kontratë, duke injoruar ligjin e nëpunësit civil.

Ky fenomen, sipas këtij institucioni, ka lindur për shkak të keqkuptimeve që kanë krijuar titullarët e institucioneve lidhur me urdhrin e Kryeministrit, datë 29.01.2004, "Për ndërprerjen e menjëhershme të kontratave të punës në shërbimin civil".

Ashtu siç del nga mbikëqyrjet e bëra, KSHC-ja propozon që urdhri i mësipërm të shfuqizohet, pasi ka lënë shteg për keqinterpretime dhe ka sjellë si pasojë futjen e nëpunësve me kontratë, në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, kësaj here, në raport janë përfshirë dhe një sërë rekomandimesh, që kanë të bëjnë me përmirësimin e ligjit. Konkretisht, KSHC-ja propozon që, për të bërë të mundur zbatimin në kohë të vendimeve të KSHC-së në lidhje me ankesat e nëpunësve civilë, është i nevojshëm parashikimi, shprehimisht në ligj, që ekzekutimi i aktit administrativ, duhet të pezullohet kur nëpunësi civil paraqet ankim ndaj këtij akti në KSHC.

Nga praktika e deritanishme, KSHC-ja shtron si kërkesë vendosjen e masave detyruese ndaj drejtuesve të institucioneve, të cilët nuk zbatojnë vullnetarisht vendimet e këtij institucioni. "Së pari duhet të plotësohet në nenin 8, pika 3 e ligjit SNC, se vendimet e KSHC-së, të cilat kanë marrë formë të prerë për t'u ankimuar, janë tituj ekzekutivë.

Së dyti, parashikimi i sanksioneve apo penaliteteve për drejtuesit e administratës publike, qendrore dhe vendore, të cilët nuk zbatojnë vendimet e KSHC-së", - thuhet në këtë raport. Gjithashtu, ky institucion propozon që ngritja në detyrë e nëpunësve civilë, si shprehje e zhvillimit të karrierës, duhet të bëhet me konkurrim të posaçëm, me anë të dokumenteve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›