S’ka miqësore
Federata e Futbollit e Turqisë (FFT) ia ka ‘shkurtuar’ këmbët Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pasi të hënën, përmes një letre të dërguar në shtëpinë e futbollit kosovar, ka njoftuar edhe zyrtarisht se kampioni turk, Bursaspor, nuk do të vijë për ta zhvilluar ndeshjen miqësore me përfaqësuesen e Kosovës, ashtu siç ishte paraparë.
Si arsyetim të anulimit të miqësores, FFT ka përmendur faktin se FFK nuk është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe asaj Evropiane të Futbollit (UEFA).
Mirëpo, pavarësisht kësaj, krerët e klubit turk janë duke bërë përpjekje maksimale që të gjejnë mirëkuptim në federatën e tyre dhe të gjejnë rrugë dhe mënyra që ndeshja të zhvillohet.
Duarkryq nuk po rri as FFK-ja, e cila është duke u angazhuar me të gjitha mjetet që ky takim të zhvillohet. Krerët e saj nuk e kanë ndërmend të dorëzohen. Ata ia kanë kthyer letrën Federatës turke të Futbollit, duke u munduar që ta bindin atë të lëshojë pe me disa argumente.
“Sot e dorëzuam një letër për Federatën e Turqisë, ku i kemi përmendur disa argumente. Ne nuk e fajësojmë këtë federatë, pasi që as ajo nuk e ka lehtë, sepse nuk guxon të japë leje nga FIFA, por ndoshta ka mundur ta mbyllë njërin sy dhe të bëjë lëshime”, theksoi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
“Ne e përmendëm edhe rastin e Xamaxit, i cili kishte vendosur të luante me ne, edhe pse FIFA tentonte të na pengojë për zhvillimin e asaj ndeshjeje. Kjo nuk është ndeshje në mes të dy përfaqësueseve. Një ekip turk do të luante me seleksionin e Kosovës, kaq”, vazhdoi ai.
Krerët e futbollit kosovar do ta presin letrën tjetër të Federatës së Futbollit të Turqisë, e cila do të përgjigjet përfundimisht nëse do të zhvillohet kjo ndeshje miqësore apo jo. Në FFK shpresojnë që gjithçka në fund do të shkojë në dobi të futbollit kosovar, respektivisht me mbajtjen e një spektakli të tillë në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Tek e fundit, futbolldashësit kosovarë janë të etur për ndeshje të tilla ndërkombëtare.
Javën e kaluar, vetë Bursaspor e kishte konfirmuar zhvillimin e ndeshjes miqësore me përfaqësuesen e Kosovës. Nënkryetari i klubit turk, Mustafa Yedikardesh, kishte qëndruar personalisht në Kosovë për ta zyrtarizuar marrëveshjen.
Mirëpo, gjithçka ndryshoi brenda pak ditësh, kur Federata e Futbollit e Turqisë dha një përgjigje negative për mbajtjen e kësaj ngjarjeje, pasi që kjo e fundit ka frikë nga ndonjë dënim që do të mund ta merrte më pas nga FIFA.
Kjo nuk është hera e parë që kundërshtarët e përfaqësueses së Kosovës tërhiqen në momentet e fundit. Më parë, një gjë të tillë e kishte bërë ekipi i të rinjve të Brazilit dhe klubi kroat Dinamo Zagreb.