Televizor në burg Aldo Bares, pezullohen 5 gardianë
17/12/2009 Skandali tek 313-ta përfshin 5 policë burgjesh, bashkëpunuan me të burgosurit
Kapos së Lushnjës i garantohen shërbime të veçanta si televizor e frigorifer
TIRANË- Drejtori i burgut 313-të ka pezulluar ditën e hënë nga detyra pesë punonjës policie, të cilët janë kapur me shkelje gjatë detyrës. Mes këtyre punonjësve të policisë kanë qenë edhe oficer të cilët nuk i kanë zbatuar rregullat e shërbimit të brendshëm edhe pse çdo ditë marrin instruktazh. Lajmin e pezullimit nga detyra të këtyre punonjësve të Policisë së Burgjeve e ka bërë të ditur vetë drejtori. Por arsyet nuk janë të njëjta për të gjithë. Ndërsa thuhet se pezullimi i pesë punonjësve të policisë është bërë me urdhër të drejtorit duke u vënë në dijeni edhe Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, nuk dihet me siguri roli që ka pasur oficeri i burgut që është pezulluar. Një nga arsyet e pezullimit të punonjësve të policisë ka qenë edhe ardhja e Aldo Bares në këtë burg si dhe përpjekje e këtyre policëve për t’i bërë nderet duke e ndihmuar të integrohet në shoqërinë e burgut më shpejt se sa është e parashikuar në rregullore. Sipas burimeve nga burgu bëhet e ditur se ditën që Aldo Bare ka ardhur në burgun 313-të nuk ka pasur asnjë shërbim të veçantë në dhomën ku është vendosur. Kështu ai nuk ka pasur në dhomë as frigorifer dhe as televizor. Nga bashkëvuajtësit është menduar të ndihmohet Bare me këto sende. Kështu është bërë. Këto sende kanë kaluar nëpërmjet korridorit të burgut duke marr kështu firmën e oficerëve të policisë dhe të punonjësve të sigurisë së brendshme, të cilët ishin caktuar me detyrën e përditshme. Ky veprim është quajtur shkelje. Në bazë të rregullores ardhja e një të paraburgosuri të ri në institucion duhet të kalojë në disa pika. Pika e parë është observimi. Dhe gjatë kësaj periudhe observimi, e cila zgjat të paktën disa ditë, i paraburgosuri duhet t’i bindet rregullave dhe të njihet me sigurinë brendshme dhe me rregulloren e burgut. Kjo rregullore është thyer nga policët e shërbimit. Për këtë qëllim ata janë pezulluar për një muaj. Por sipas drejtuesve të burgut, këta punonjës policie kanë bërë edhe shkelje të tjera, të cilat i janë bashkangjitur ndëshkimit që morën ditën e hënë nga drejtori i burgut 313-të.
Bosi i Vefës
Precedenti Alimuça dhe vipat e tjerë
Në burgje tashmë është bërë e zakonshme që personat, të cilët në jetën e përditshme kanë pasur të gjitha mundësitë për të jetuar më mirë nga të tjerët, ta bëjnë një të tillë pa u munduar. Madje këta persona kanë edhe ndihmën e administratës së burgjeve dhe vet punonjësve të policisë. Kështu përmendet rasti që dihet ai i Vehbi Alimuçës. Ky i fundit jo vetëm në burgun e Peqinit, por edhe në Spitalin e Burgut ku u transferua për shkak të sëmundjes ka pasur të gjitha kushtet dhe privilegjet për të jetuar si “ bos”. Kushte të mira ka në burg edhe Arben Grori e Lavdërim Tufa, si dhe gjithë emrat e njohur, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale. Këta personazhe kërkojnë që në burg të mos u mungojë asgjë. Ndërkohë që dihet se tani edhe në paraburgim ata janë të pajisur me të gjitha orenditë e zakonshme.
Drejtori Kalemi
Në 10 muaj kam pezulluar 60 policë
Drejtori i burgut 313-të, Shkëlqim Kalemi, është i prerë në zbatimin e rregullores së brendshme në burgje. Kështu përveçse mbështet kontrollet e vazhdueshme në burgje, ai që nga muaji mars kur u emërua në burgun 313-të deri në ditën e sotme ka pezulluar nga detyra 60 punonëjs policie përfshi këtu edhe oficer. Pezullimi është bërë për “shkelje të rregullores së brendshme të burgjeve”. Por Kalemi nuk ka bërë vetëm pezullime nga detyra. Ai edhe ka pushuar polic si dhe oficer si pasojë e neglizhencës në kryerjen e detyrës. Çdo oficer duhet të mbaj shënim në procesverbal të gjitha detyrat që kryen dhe ato që i caktohen për të kryer. Kalemi gjithashtu ka pushuar nga pezulluar nga detyra edhe punonjës policie, të cilët nuk i binden shërbimit dhe mbajnë celular në detyrë. Pezullimi është bërë njëmujor dhe i ka kaluar drejtorit të përgjithshëm për shqyrtim. Sipas tij, këta punonjës policie nuk e kanë herën e parë që shkelin rregullat e punës.
Aldo Bare
Kapoja i Lushnjës kërkon të “mbretërojë” në burg
Aldo Bare nuk e kishte njohur jetën e burgut deri në momentin që u arrestua në Ankara, Turqi më datë 25 mars 2006. Por edhe në këtë rast, ai kishte dëgjuar, por nuk e kishte jetuar jetën në burgjet shqiptare. Me hijen e tij të rëndë dhe me emrin që kishte vënë gjatë kohës që ka drejtuar organizatën kriminale të Lushnjës, Aldo Bare, pretendon të “mbretërojë” edhe në burg pas ekstradimit. Kjo u pa qartë, kur bashkëvuajtësit e tij sapo ai shkeli në burgun 313-të filluan të rendin me vrap dhe të mbushin dhomën me sende të veçanta. Bares nuk duhej t’i mungonte asgjë. Natën e parë edhe pse jashtë rregullores, duhej të kishte në dhomë frigorifer dhe televizor, me qëllim që të dëgjonte se çfarë flitej për bëmat e tij. Në burgun 313-të janë edhe një pjesë e “ushtarëve” të tij, të cilët urdhëruan mbushjen e dhomës. Por veprimet e ushtarëve të Bares, ndikuan edhe tek punonjësit e policisë, të cilët firmosën gjithçka duke u bërë bashkëfajtor. Aldo Bare i shtohet në burgun 313-të listës së emrave të njohur të botës së krimit, të cilët presin të gjykohen nga Krimet e Rënda.