E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket faqja zyrtare, PD vetëm në Facebook

Në Facebook dallohen dukshëm vetëm disa prej zyrtarëve të PD-së. Çdo gjë tjetër që ka lidhje me këtë parti është zhdukur.

TIRANË- Nëse dikush është i interesuar për të hulumtuar në sitin e Partisë Demokratike, për të gjetur programin, statutin, të dhënat për forumet, strukturat e saj, nuk do të gjejë asgjë. Kjo sepse faqja e Partisë Demokratike, tanimë nuk ekziston.

Ajo është kthyer në Facebook, ku maksimumi që mund të dallosh janë turet e Kryeministrit Berisha dhe fotot e këtij të fundit apo edhe disa ministrave të tjerë, si Lulzim Basha apo Sokol Olldashi. Por, deri këtu.

Përveç komenteve dërguar me nota relativisht pozitive, në sitin e PD-së, që të çon direkt në Facebook nuk mund të gjesh asgjë tjetër, as mbi historikun e kësaj partie e asgjë tjetër që ka lidhje me funksionimin e një partie.

PD-ja në Facebook shfaqet dukshëm vetëm me disa prej figurave të partisë, ndër ta edhe kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani,
i vetëshpallur nga Kryeministri Sali Berisha.

E ndërsa në ditë pushimi, të shtunë apo të diel, Kryeministri Sali Berisha mbledh gjimnazistë dhe studentë nëpër shkolla dhe universitete në të gjithë vendin dhe u shpalos idetë e qeverisë së tij për të ardhmen e këtij brezi, ai vetë duket se i ka mbyllur rrugën brezit të të rinjve.

Ai ka emëruar pasuesin e Sokol Olldashit në krye të FRPD-së, pa mbledhjen e forumit të të rinjve, madje Bogdanin jo pak herë tanimë mund ta shohim nëpër ture në këtë cilësi.

E njëjta gjë dallohet dukshëm edhe në Facebook. Në faqen zyrtarë të PD-së në Facebook dallohet vetëm Bogdani, Olldashi apo edhe Basha, edhe pse këta të fundit, shfaqen dukshëm vetëm si foto. Historiku i kësaj partie, e çdo gjë tjetër, tanimë duket se i përket vetëm së kaluarës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›