E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashashi me varkë drejt Malit të Zi, mbyllet hetimi për kushërinjtë

Marijuana/ Në muajin prill, patrullat shqiptaro- malazeze bllokuan në Liqenin e Shkodrës 165 kg hashash


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi hetimin dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy kushërinjve shkodranë, të cilët tentuan të trafikojnë nga Shqipëria në Mal të Zi me ndihmën e varkës 165 kg hashash. Lajmi pohohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda.


Shorti elektronik ka caktuar Luan Hasnezirin si drejtues të trupit gjykues të kësaj dosjeje Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit Flori e Kristjan Ramaj respektivisht 21 dhe 18 vjeç, me veprimet të kryera me 24 prill të këtij viti kanë konsumuar veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.


Sipas hetimit, dy djemtë e xhaxhallarëve Flori e Kristjan Ramaj nga fshati Goshaj i komunës Kastrat të Malësisë së Madhe, mesnatën e datës 24 prillit kanë ngarkuar një varkë me 165 kg hashash dhe janë nisur për të kaluar kufirin ujor mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.


Patrullat e përbashkëta shqiptaro-malazeze, kanë zbuluar mjetin lundrues në liqen, në pjesën shqiptare në afërsi të Hanit të Hotit të Malësisë së Madhe. Skafi i policisë kufitare është vënë në ndjekje të mjetit lundrues dhe pas pak minutash udhëtim varka është bllokuar, ndërsa në të ishin disa çanta mbushura me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa (hashash).

"Në bordin e varkës është arrestuar Flori Ramaj 21 vjeç, ndërsa, personi i dytë, Kristjan Ramaj, 18 vjeç, është larguar me not. Pak minuta më pas ai është vënë në prangat nga oficerë të policisë së Shkodrës".


Në momentin e bllokimit të varkës, policia ka gjetur dhe sekuestruar katër çanta të mëdha sportive të mbushura me hashash që arrinin peshën 165 kg. Sipas kërkesës për gjykim, dy të pandehurit pas arrestimit kanë pranuar se ishin të punësuar për të kryer transportin e hashashit nga Shqipëria në Mal të Zi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›