E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora pa ujë dhe drita, ankohen pushuesit

MUNGESAT/ Në qytetin bregdetar është regjistruar një tjetër ditë me ndërprerje të ujit të pijshëm në disa zona


VLORË - Pasi 15-ditëshi i dytë i korrikut risolli më tepër se një herë situata të tilla, edhe muaji gusht duket se nuk ka përjashtuar të tilla. Edhe dje në zonën e Ujit të Ftohtë ka pasur ndërprerje të energjisë, e për pasojë edhe ndikim te furnizimi me ujë i popullatës.


Më tepër se gjysma e qytetit nuk ka pasur ujë të pijshëm, ku punonjës të ujësjellësit ia kanë hedhur fajin për këtë defekt linjave të energjisë.


Nga ana e agjencisë elektrike është pohuar se bëhej fjalë për një defekt nga një kabëll i rënë në masë, defekt i cili është riparuar në orët e vona të pasdites.


Gjithsesi, këtë verë nga pushues të ndryshëm nuk kanë munguar ankesat. Por jo vetëm nga pushuesit. Pronarë hotelesh dhe restorantesh pohojnë se kjo verë i ka vënë në vështirësi.


Më shumë se defektet, të cilat ata i përjashtojnë duke iu referuar faktit se nuk bëhet fjalë për muajt e dimrit, ata nuk kanë munguar të përdorin deri fjalët "sabotim", duke mos identifikuar për këtë autorë, por thjesht duke denoncuar fenomenin.


Penalizim për zhvillimet turistike apo penalizim për paszgjedhorin, ata kanë hedhur thjesht dyshimet, situatë që sipas tyre duhet të vlerësohet me seriozitet.


Është të paktën hera e tretë që Vlora penalizohet nga uji dhe dritat. Mungesa e së parës ka qenë rrjedhojë e mungesës së të dytës, për shkak se siç mësohet, pompat e ujësjellësit fiken.


Një gjë e tillë bën që një pjesë e madhe e qytetit të mbetet pa ujë të pijshëm, ndërsa jo pak pronarë hotelesh e restorantesh të ngrenë zërin për këtë. Fillimisht në qytetin bregdetar pati një mungesë të energjisë për shkak të një rrufeje (pasojë e motit të keq).


Gjithçka u rikthye në funksion pas dy ditësh. Një mungesë 5-ditore e energjisë u regjistrua edhe në portin e Vlorës ku punohej me gjenerator, megjithatë problemet nuk ishin të pakta. E më tej sërish ndërprerje të energjisë dhe të ujit të pijshëm.


Deri më tani ujësjellësi ka pasur gjithnjë si justifikim faktin që pompat punojnë me energji elektrike dhe në rast të ndërprerjes së energjisë, automatikisht zona të qytetit mbeten edhe pa ujë.


Por një gjë e tillë ka ndikuar jo pak negativisht në turizmin në Vlorë. Shumë pushues janë larguar nga zona e Ujit të Ftohtë, duke shkuar më në jug, pas cilësimit absurd të kthimit në hotele apo apartamente të marra me qira dhe me mungesa në ujë e drita.


E më tej, bizneset në këtë qytet vijojnë të vuajnë vënien e orareve për diskot, pasi jo pak prej të rinjve "muzikë-dashës" janë larguar duke zgjedhur një tjetër vend për të kaluar orët e tyre të mbrëmjes.

Turistët e huaj: Pa ujë dhe drita? Nuk vijmë më në Vlorë
"Nuk votuat për Saliun, prandaj po i heqin ujin dhe dritat". Shprehja që ka qarkulluar si thashethem në Vlorë, nuk do të të çudiste aspak, por e thënë nga dikush që nuk di shqip, të tërheq vëmendjen.


Pierguido Vizardi, një italian që prej dy javësh ndodhet me pushime në Vlorë, i qëndron aq i sigurt asaj që ka thënë, sa të zgjat habinë. Italiani pohon se nuk interesohet aspak për jetën politike në Shqipëri.


Ai e ka dëgjuar disa herë këtë frazë në hollin e hotelit ku qëndron, hotel pranë bregut të detit. "Nuk është një person i vetëm që e pohon, - thotë Vizardi. 40-vjeçari italian tregon se është akomoduar me të shoqen shqiptare dhe dy djemtë dhe kushtet janë të mira, por i ka bezdisur mungesa e herëpashershme e dritave dhe ujit.


"Disa herë kemi dëgjuar, jo vetëm te hoteli, por edhe në plazh, se mungesat vijnë pasi Vlora nuk votoi qeverinë në fuqi. Unë jam i huaj dhe jam çuditur jo pak me këtë.


Ndoshta e nxjerrin si shkak për të mbuluar mungesat, në një kohë që ne kemi paguar jo pak për pushimet tona në Shqipëri. Kam qenë edhe më parë në Vlorë, pasi gruaja ime është shqiptare. Kemi qenë edhe në qytet tjetër. Por dritat dhe uji nuk kanë munguar".


Duke vijuar të tregojë për pushimet e tij në Shqipëri, italiani pohon se vitin tjetër do ta shqyrtojnë vërtet ardhjen në Vlorë. Pasi sipas tij, çmimet janë të larta dhe kushtet elementare janë servirur me hope.

Pushuesit: Mungesa e ujit, shkak energjia


Ndërkohë, të pyetur, edhe pushues të tjerë, nga Maqedonia, pohojnë se ka pasur ditë që ka munguar uji dhe dritat. "Për dritat janë vënë gjeneratorët, - tregon një çift maqedonas shqipfolës, - por mungesa e energjisë te pompat e ujit, na është shpjeguar si shkak i kësaj që nuk kishim ujë".


Një gjë e tillë, sipas tyre, u ka shkaktuar probleme, sidomos në kthimin në dhomat e tyre pas një dite plazhi, ku larja është e domosdoshme. Ata shprehen se në vende të tjera ku kanë qenë më parë për pushime, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se nuk i konsiderojnë aspak normale mungesa të tilla, sidomos gjatë periudhës së sezonit veror, ku uji dhe dritat konsiderohen si një kërkesë minimale e pushuesve.


Pronarët e hoteleve: Po na largohen turistët


Një nga pronarët e hoteleve në zonën e Ujit të Ftohtë, pohon se ka pasur raste gjatë kësaj vere që i kanë ikur pushues të huaj. "Kanë pohuar se do të rrinin një javë dhe kanë ndenjur vetëm dy ditë, duke pasur frikë për furnizimin me ujë. Jemi ankuar disa herë, por kur ka pasur mungesa, na janë përgjigjur se ka defekte. Ne vetëm këtë verë presim, pasi këto i kemi muaj pune.


I kemi krijuar të gjitha kushtet. Por pushuesit duan ujë e drita", vijon ai duke ngritur kështu problemin e largimit të turistëve. Pronarët e hoteleve që në zonën e Ujit të Ftohtë shkojnë mbi 20, i cilësojnë të papranueshme mungesat e theksuara të ujit e dritave, të ndjeshme sidomos përgjatë këtij sezoni veror.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›