E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyten aksidentalisht një burrë dhe një fëmijë

TIRANË- Dy persona kanë humbur jetën duke u mbytur nga pakujdesia, ku mbytja e parë ka ndodhur në një rezervuar në fshatin Pezë - Helmas, ndërsa personi i dytë, një fëmijë dy vjeç është mbytur në një kanal uji në fshatin Pinar.

Fiqiri Muca, 52 vjeç, është mbytur gjatë ditës së hënë në rezervuarin e fshatit Pezë - Helmës, ku në pamundësi për të dalë nga balta në rezervuar është mbytur. Mësohet se 52- vjeçari është futur në liqenin artificial të fshatit, ku më pas ka mbetur në baltë, pa mundur të dalë i gjallë nga rezervuari. Ndërsa gjatë ditës së djeshme një fëmijë dy vjeç nga fshati Pinar i Tiranës, u mbyt pasi ra në kanalin vaditës të fshatit.


Familjarët e viktimës, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga policia, nuk mundën të shpëtonin jetën e 2- vjeçarit, për shkak se uji e ka marrë me shpejtësi. Për të dy rastet Policia e Tiranës, ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e mbytjes së dy personave. Gjatë këtyre dy muajve të fundit, nisur dhe nga sezoni turistik, janë shënuar dhe viktima të tjera, ku në të shumtën e rasteve personat janë mbytur në det.


Rasti më i fundit, është mbytja e 22- vjeçarit Qatip Ferhati, në plazhin e Durrësit, ku nga një hedhje në një lartësi, ky i fundit dëmtoi njërën nga vertebrat duke mos patur mundësi të dalë në breg të detit.

-------------------------------------------------------------------------------

Do "trafikonte" fëmijën, kapet francezja në Rinas

TIRANE- Arrestohet në Rinas, një grua shqiptaro- franceze në tentativë për të kaluar një djalë shtatë vjeçar në drejtim të Francës, për ta dërguar tek prindërit e tij. Miranda Gomez (Luli), rreth 30 vjeçe me shtetësi Franceze dhe me banim në këtë vend, është arrestuar dje në mesditë nga policia e aeroportit të Rinasit me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.


Gruaja kishte me vete një fëmijë shtatë vjeçar të cilin donte ta dërgonte në Francë tek prindërit e tij, duke e paraqitur si të birin, duke përdorur ngjashmërinë në dokumentin për fëmijën.

Gjatë intervistimit të fëmijës, policia ka zbuluar se në fakt fëmija nuk ishte i gruas që e shoqëronte, por i një gruaje që jetonte në Francë ndërsa Gomez e kishte marrë përsipër për ta dërguar në Francë. Fillimisht gruaja ka këmbëngulur se fëmija ishte i saj, por pas intervistimit të fëmijës dhe pas këmbënguljes së policisë dhe oficerëve të krimeve të komisariatit të aeroportit gruaja ka pranuar se fëmija nuk ishte i saj, por i një gruaje që jetonte në Francë.


Pas veprimeve rutinë, Miranda Gomez (Luli), është arrestuar nga policia e Rinasit me akuzën dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të ngjashme. Tri ditë më parë, po në Rinas, u arrestua një grua tjetër pasi udhëtonte me dokumente të falsifikuara

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›