Ish-kampioni, jetë mes rrënojave e gjarpërinjve
PERSONAZH/ Gëzim Çollaku rrëfen mes lotëve jetën pas kthimit në Shqipëri nga Italia, ku ndodhen edhe fëmijët e vet
BURREL - Nuk mund të ketë bujtinë të tillë ku mund të jetojë një njeri. E shikon kushdo që merr mundimin për të shkuar deri në fshatin Batërr e Vogël të komunës Komsi të Matit.
Një ngrehinë dërrasash të kalbura e muranash të rrënuara janë "qielli" që ka për mbulojë 57-vjeçari Gëzim Çollaku, që për paradoksin më ironik të një jete plot drama, dikur ishte kampion i mundjes me ekipin e Korabit të Peshkopisë, madje kampion i vendit.
I vetëm, me një fizik të dërmuar në paralizë që po ia merr shtatin dita-ditës, ai shtyn ditët e jetës-ferr, pikërisht në këtë karakatinë, me një grumbull plaçkash të grisura si shtrojë e mbulojë, në mes gurësh e ferrash që shihen tej e tej në atë dhomë ku ai mblidhet kruspull gjithë orët e ditës e të natës, e po aty gjendet dhe një kthinë guriçkash të myshkur ku shtron vaktet e ngrënies, ndonjë copë bukë të falur me mirësi nga bashkëfshatarët, ndonjë copë trangull a domate, dhe një shishe koka me kos-ujë!
Askush nuk kujdeset për të: me gruan është ndarë prej vitesh dhe dy fëmijëve të tij që jetojnë në Itali, nuk ua di as adresën! Janë disa fshatarë shpirtmirë që i çojnë atje ndonjë copë buke e ndonjë send sa për të shtyrë ditën, ndërsa nuk mundet të lëvizë prej paralizës.
Muskujt i dallohen ende në krahët e holluar ish-kampionit në shpatullat që po rrudhen ashtu si dhe i tërë shtati e këmbët, dhe nuk të besohet teksa e sheh të dridhet i tërë ai trup muskuloz duke çapitur si një fëmijë 10-muajsh, ndërsa para 40 vitesh askush i peshës së tij në Shqipëri nuk mund ta vinte përfund në tapetin e mundjes, këtij sporti burrëror.
"Orët" e kampionit
Ai rrëfen për të kaluarën e tij dhe qan si një fëmijë. Ishin vitet 1967-71, në shkollën e mesme në Peshkopi, për katër vite kampion i vendit në mundje për peshën e tij, kampion i padiskutueshëm me një shkathtësi të jashtëzakonshme. "I kujtoj me detaje orët e gjata të stërvitjes dhe Peshkopinë që jetonte në ato vite me këtë sport në mendje e zemër, dhe ne jepnim gjithçka",- thotë Çollaku.
Jeta më pas mori rrjedhë tjetër, dhe në vitet '90 ai është ndër emigrantët e parë shqiptarë që i drejtohet Italisë për të ndenjur plot 14 vite atje. I lindën dy fëmijë, por më pas pati dhe divorcin me gruan. Pas 14 vitesh që vjen në Shqipëri, ndodhi dhe ardhja e sëmundjes së mallkuar, paralizës në pjesët e ndryshme të trupit. Kjo e detyroi që të qëndronte në këtë gërmadhë në kushte skandaloze, pa mundur t'i shërbejë vetes edhe me një gotë uji.
Por dhimbjen më të madhe na e shpreh teksa kujton një emision televiziv ku flitej për ekipin e mundjes së Korabit në një përvjetor. "Po shihja fotot e mia aty dhe nuk mund të shkoja të merrja pjesë",- thotë ai. Një histori e lavdishme sportive, e përfunduar në mënyrë tragjike tashmë.
Jeta në mes gjarpërinjve
Por ndërsa ne bisedojmë me të tek ajo bujtinë e rrënuar, si për të na bindur me rrëfenjën e tyre, një bashkëfshatar qëllon mbi një gjarpër që sapo ka nxjerrë kokën tek qoshku ku ka shtrojë e mbulojë 57-vjeçari. "Mos i ngani, - thotë ai. - Janë mësuar me mua, më mbushet dhoma, dhe shpesh ia kam uruar vdekjen vetes, por ata ende nuk më kanë kafshuar".
"Është e dhimbshme, e trishtueshme", thonë bashkëfshatarët, "teksa e shikon në në atë gjendje. Si nuk është kujtuar askush ta shohë gjendjen e këtij kampioni të madh të mundjes në këtë ditë të zezë që ka përfunduar, dhe ai jeton me vetëm 3 mijë lekë të reja përkrahje, pa mundur t'i shërbejë vetes për asgjë".
Ata apelojnë organizmat e shtetit, komunën, por dhe ato të sportit, të kujtohen për një nga legjendat e sportit të mundjes me Korabim e dikurshëm për ta nxjerrë nga kjo skëterrë, si dhe për t'i dhënë mundësinë e kurimit. "Nuk do të përfundoja kështu nëse paraliza do të më kishte kapur në Itali, - thotë Gëzimi, - porse këtu mjekët më thanë se do të kalojë, sepse nuk kisha para të jepja".
Ndërsa largohemi nga ajo bujtinë e rrënuar dhe duke e parë në atë gjendje një kampion të madh, kujtesa të shpie tek ato rremujat e KOKSH-it, që më shumë se për karriget, duhet të kujtohen për këtë sportist të harruar nëpër male me fate tragjike si e Gëzim Çollakut.
Metamorfoza e ish-kampionit
Asnjëri nga ata që e ka njohur Gëzim Çollakun, nuk e beson se kampioni mund të ketë pësuar atë metamorfozë fizike. Muskujt që duket sikur po jetojnë "grahmat" e fundit përgjatë tërë pjesëve të trupit, janë të vetmet dëshmitare që rrëfejnë kampionin e madh të mundjes.
Ndërsa çapitet si fëmija për tek dera e shtëpisë, këmbët mezi e mbajnë, dridhen si një purtekë dhe janë holluar si mos më keq. Edhe duart i dridhen çdo sekondë, ndaj kur e merr për të pirë një gotë ujë, gjysma derdhet pa shkuar ende tek buzët e zhuritura. Nuk bëhet fjalë për të bërë ndonjë punë tjetër, "orët" tek ai duket sikur kanë ndalur.
Teksa bisedon, nuk do ta pranojë faktin se është ky Gëzimi që e mbajnë mend të gjithë si tejet të shkathët, një fizik i admirueshëm, dhe që nuk i përtonte asnjë lloj pune, i sjellshëm me këdo dhe me shpirt altruisti. Një fizik që ishte mbajtur për mrekulli për 40 vite deri sa gjendja mori për poshtë.
Ai rrëfen se paraliza i erdhi papandehur në pak ditë, duke i marrë këmbët dhe më pas gjithë trupin. Fjalët e mjekëve këtu në Shqipëri se është diçka kalimtare, i ka paraprirë fatin e zi të një mjekësie të papërgjegjshme, ashtu sikundër mungesën e ingranazheve humane shtetërore për ta ribërë kampionin... Dhe ai vazhdon të jetojë agoninë, as vdekur e as gjallë, në një bujtinë karakatinë në Batër të Matit, vetëm 2-3 km larg Burrelit....
Jeta e Çollakut
Gëzim Çollaku u lind në vitin 1952
Gjatë shkollës së mesme u aktivizua me ekipin e Korabit të Peshkopisë në mundje. Përgjatë katër viteve 1967-1971 ishte kampion i vendit i padiskutueshëm në peshën e tij
Pas viteve '90 largohet jashtë vendit me bashkëshorten.
Kthehet 14 vite më pas i divorcuar dhe me dy fëmijë që qëndruan në Itali
Në momentin e kthimit i fillon një paralizë e pjesshme, ndërsa nga mjekët iu tha se ishte kalimtare
Prej vitesh jeton në një banesë të rrënuar me 3 000 lekë/muaj që i jep shteti dhe me ato që i falin bashkëfshatarët