Lind foshnja i vdekur, prindërit e hedhin në kosh
Policia nis hetimin dhe merr në pyetje prindërit e fëmijës së lindur në maternitetin "Kiço Gliozheni"
Prindërit e pohojnë për oficerët se e hodhëm fëmijën se nuk e çonim dot të vdekur në shtëpi. "Na sjell ters"
TIRANË- Lind foshnja e vdekur prindërit e hedhin në koshin pranë maternitetit, policia nis hetimin për ngjarjenm, për të zbuluar nëse fëmija ka lindur i vdekur apo është hedhur i gjallë në kosh.
Ngjarja ndodhi dje paradite kur foshnja i pajetë i seksit mashkull, i lindur dy ditë më parë është gjetur nga punonjësit e pastrimit, e hedhur në një kazan plehrash përballë maternitetit "Kiço Gliozheni" në kryeqytet. Foshnja e braktisur është parë midis plehrash brenda në kazan, në rrugën "Sitki Cico" reth orës 12 00 të ditës së djeshme, vetëm disa metra larg Maternitetit të Ri.
Nga të dhënat mësohet se foshnja e seksit femër ka lindur e vdekur në maternitet, ndërsa dje nëna e fëmijës ka dalë nga spitali ndërsa ka marrë në një kuti kartoni të posaçme edhe fëmijën.
Për të mos kryer ceremoni, apo për të kryer një varrim për fëmijën e tyre, prindërit e fëmijës, Genci e Mimoza Kora, kanë hedhur fëmijën në një kosh përballë maternitit në krahun tjetër të përroit të Lanës. Ndërkaq fëmija është gjetur i hedhur në kosh dhe menjëherë është lajmëruar policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të nisur hetimin.
Fillimisht kanë mbërritur në maternitet dhe kanë mësuar se fëmija e i fundit që kishte lindur i vdekur në maternitet kishte qenë i çiftit Genci e Mimoza Kora, me adresë banimi sipas tyre në fshatin Ferraj të Tiranës.
Këta të fundit janë shoqëruar nga policia në ambientet e tyre, për t'u marrë në pyetje për rrethanat e vdekjes së fëmijës dhe për shkaqet e mundshme të saj. Gjithashtu nga hetimet e Policisë së kryeqytetit, duke u bazuar dhe nga të dhënat e regjistrit të lindjeve të maternitetit, mësohet se foshnja ka lindur i vdekur të hënën, në muajin e shtatë të shtatzënisë së gruas.
Vetë prindërit kanë pohuar se e kanë lënë fëmijën e tyre në kosh dhe nuk kanë dashur ta marrin për shkak se sipas riteve të tyre të vjetra marrja e fëmijës në shtëpi dhe organizimi i një ceremonie fetare mund të ishte një lloj tersi.
Në këtë mënyrë prindërit e foshnjes së sapolindur kanë vendosur ta hedhin në një kosh pranë maternitetit. Në këtë mënyrë çifti ka menduar se e hoqën qafe, tersin dhe tashmë, zbulimi i fëmijës në kosh ka zbuluar edhe ata vetë.
Ndërkaq policia edhe pse nuk ka arrestuar çiftin që kishte lindur fëmijën, për shkak të mungesës së elementëve të veprës penale, ka referuar materialin në prokurorinë e rrethit e cila besohet se do të mbyllë dosjen, po për këtë argument.
Fëmija pas muajit të 7 iu jepet prindërve
Rregullorja e lindjes së fëmijëve të vdekur në maternitete të ndryshme të vendit tonë, tregon se nëse fëmija është mbi shtatë deri në nëntë muajsh, mund t'iu dorëzohet prindërve të tyre, por jo domosdoshmërisht. Nëse prindërit e fëmijës nuk duan ta marrin fëmijën me vete ai mbahet në maternitet i cili më pas ndjek procedurat e zakonshme sipas ligjit.
Në të kundërt, nëse fëmija ka lindur i vdekur përpara periudhës së 7 muajve, mbahet në maternitet, ku më pas kryhen procedurat rutinë sipas rregullores së miratuar për këtë kategori. Një fakt i tillë pohohet nga mjekë të materniteteve të Tiranës, bazuar në rastet e mëparshme dhe në rregulloren përkatëse.
Mbyten aksidentalisht një burrë dhe një fëmijë
TIRANË- Dy persona kanë humbur jetën duke u mbytur nga pakujdesia, ku mbytja e parë ka ndodhur në një rezervuar në fshatin Pezë - Helmas, ndërsa personi i dytë, një fëmijë dy vjeç është mbytur në një kanal uji në fshatin Pinar.
Fiqiri Muca, 52 vjeç, është mbytur gjatë ditës së hënë në rezervuarin e fshatit Pezë - Helmës, ku në pamundësi për të dalë nga balta në rezervuar është mbytur.
Mësohet se 52- vjeçari është futur në liqenin artificial të fshatit, ku më pas ka mbetur në baltë, pa mundur të dalë i gjallë nga rezervuari. Ndërsa gjatë ditës së djeshme një fëmijë dy vjeç nga fshati Pinar i Tiranës, u mbyt pasi ra në kanalin vaditës të fshatit.
Familjarët e viktimës, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga policia, nuk mundën të shpëtonin jetën e 2- vjeçarit, për shkak se uji e ka marrë me shpejtësi. Për të dy rastet Policia e Tiranës, ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e mbytjes së dy personave. Gjatë këtyre dy muajve të fundit, nisur dhe nga sezoni turistik, janë shënuar dhe viktima të tjera, ku në të shumtën e rasteve personat janë mbytur në det.
Rasti më i fundit, është mbytja e 22- vjeçarit Qatip Ferhati, në plazhin e Durrësit, ku nga një hedhje në një lartësi, ky i fundit dëmtoi njërën nga vertebrat duke mos patur mundësi të dalë në breg të detit.
Klerikët dënojnë veprimin si antinjerëzor
Hedhja e foshnjes së sapolindur në një kazan plehrash nga një çift në kryeqytet, pas lindjes së tij të vdekur nuk shihet me sy të mirë nga autoritetet fetare në vend, të cilët e dënojnë një veprim të tillë, duke e argumentuar si mungesë të respektit ndaj njeriut.
Sipas imamit Elvis Naçi, në asnjë lloj literature fetare, apo zakone së paku sipas besimit Islam, nuk lejohet hedhja e fëmijës qoftë edhe të vdekur në një kazan mbeturinash. "Sipas besimit Islam, shpirti i njeriut vjen ne ditën e 120 të shtatzanisë së nënës dhe që në atë moment ai mund të quhet qënie e gjallë.
Në çdo rast nëse fëmija vdes pas kësaj periudhe tri mujore fëmija duhet të respekohet dhe duhet t'i kryhen të gjitha ritet si për çdo njeri tjetër,- pohon Naçi. Madje ai shton se foshnja duhet të lahet të pastrohet dhe të falet, një lloj sikur ai të ketë lindur dhe të ketë qenë i gjallë.
Në të kundërt, nëse foshnja nuk ka arritur periudhën tri mujore, ai mund të mos trajtohet si qënie e gjallë për shkak se nuk ka shpirt, pra është vetëm një embrion. "Hedhja ne kosh, e një krijese të Zotit, dhe e krijesës së vetë këtij njeriu që e ka bërë është tërësisht e dënueshme nga feja islame,- thotë Naçi.
Madje ai shton se veprime të tilla mund të jenë të dënueshme për shkak se kanë me vete edhe një kosto morale, por edhe një kosto për shoqërinë dhe ambientin ku vetë njerëzit jetojnë çka lidhet me higjienën e çdokujt.