Hashashi, sërish në burg bashkiaku i Tepelenës
TIRANE - Apeli i Krimeve të Rënda konfirmoi masën e arrestit të dhënë nga shkalla e parë për Petrit Abedinin, ish-kryetarin e këshillit bashkiak të Tepelenës. I arrestuar në gusht të këtij viti për për akuzën e trafikut të 50 kilogrameve marijuanë Abedini ishte lënë në masën e sigurisë "arrest me burg" nga shkalla e parë per Krimet e Rënda. Ndërsa dje, e njëjta masë u caktua edhe nga Apeli i Krimeve të rënda. Po dje, burime pranë organit të akuzës, bënë të ditur se ka mbërritur në duart e prokurorëve aktekspertimi i pakove të drogës, mbi të cilat ekzistojnë gjurmët e gishtërinjve të të pandehurit Abedini. Ish-kreu i Këshillit Bashkiak të Tepelenës, njëkohësisht kreu i PSV'91 Tepelenë u arrestua në 18 gusht të këtij viti në pikëkalimin kufitar të Kakavijës nga operacioni policor i koduar "Pritja". Teksa po tentonte të kalonte drejt shtetit grek me kamionin në pronësi të tij tip "MAN" me targa TP 27 98 B, koka e kamionit dhe triler me traga TP 28 08 B. Pas një kontrolli të imtë, policia gjeti të fshehur në kamion 35 pako me lëndë narkotike marijuanë të presuar, e cila në total kishte një peshë prej 50 kilogramësh.