E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me thika, plagoset nxënësi

 

Etleva Delia

Tri ditë pas hapjes së shkollave 9-vjeçare në të gjithë vendin, në Tiranë ndodhi dje plagosja me thikë e një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij.
Një nxënës i klasës së 9-të në shkollën “Bajram Curri” në Allias, Tiranë, mbeti i plagosur nga dy goditje thike. Autori i krimit është nga shoku i klasës, i cili ka kaluar disa orë në Komisariatin nr.4 të policisë pasi qëlloi 14-vjeçarin me thikë. Burime nga policia, por edhe nxënës të pranishëm në vendin e ngjarjes, tregojnë se dy 14-vjeçarët kanë nisur sherrin me njëri-tjetrin gjatë kohës së pushimit në oborrin e shkollës. Debati ka nisur rreth orës 10:30 dhe ka zgjatur pak minuta, derisa njëri nga nxënësit, Riza Elezi, ka dalë jashtë rrethimit të shkollës dhe është kthyer sërish duke u drejtuar nga shoku i tij i klasës Ergest Plepi. Më pas dëshmitarët kanë parë 14-vjeçarin Ergest Plepi të shtrirë në tokë dhe duke kërkuar ndihmë. Roja privat i shkollës dhe mësuesit janë afruar pranë të plagosurit dhe më pas kërkuan ndihmën e policisë. Adoleshenti i plagosur është dërguar me urgjencë në kirurgjinë e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ndërsa Riza Elezi është shoqëruar nga policia në Komisariatin nr.4, ku ka qëndruar për disa orë në gjendje të rënduar psikologjike. Policia tha se ka marrë në pyetje 14-vjeçarin Elezi në prani të një psikologeje, mësuesit dhe prindërve.
PLAGOSJA
Në orën 10:30 nxënësit e shkollës “Bajram Curri” sapo kishin dalë në oborr, duke qenë se kishin mbaruar tri orët e para pas të cilave vinte pushimi. Por rrëmuja normale e fëmijëve, që krijohet në një kohë të tillë, është bërë më e zhurmshme se zakonisht nga plagosja me thikë në oborrin e shkollës. Një nga nxënësit e klasës së nëntë është parë i shtrirë në tokë, i gjakosur dhe duke kërkuar ndihmë. Dhjetëra nxënës, dëshmitarë të ngjarjes, treguan se Ergest Plepi, 14 vjeç, kishte mbetur i plagosur, pasi shoku i tij i klasës, Riza Elezi, e ka goditur dy herë me thikë. Sipas policisë, Plepi dhe Elezi janë zënë fillimisht me fjalë, pasi autori i ka thënë adoleshentit tjetër “pse më shtyve”. Këtu ka nisur edhe debati mes tyre dhe autori ka dalë jashtë rrethimit të shkollës, ku siç duket ka marrë thikën me të cilën ka goditur dy herë shokun e tij të klasës, duke e plagosur rëndë. Djali i plagosur është dërguar në QSUT, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale mjekët janë shprehur optimistë për shëndetin e tij, duke u shprehur se nuk ka rrezik për jetën. Ndërkohë autori i ngjarjes është shoqëruar në Komisariatin nr.4 nga efektivat e policisë dhe sipas burimeve gjatë gjithë kohës ka qenë në një gjendje të rënduar psikologjike, duke mos mundur t’i përgjigjej qartë as pyetjeve të oficerëve të policisë. Për shkak të moshës së mitur, Riza Elezi është lënë i lirë dhe është kthyer pranë familjes së tij.

Dëshmitari: Pamë Orgestin që ishte mbuluar me gjak
Curri”, ka qenë shumë pranë vendit të ngjarjes, por nuk e ka kuptuar se çfarë po ndodhte deri sa ka parë Orgest Plepin të gjakosur dhe duke kërkuar ndihmë. “Ishte një zhurmë e njëjtë me atë që bëhet çdo ditë kur dalim në pushim. Nuk po e kuptoja nëse dikush po kërkonte vërtet ndihmë apo po tallej. Por e kuptova që ishte e vërtetë vetëm kur pashë Orgestin të shtrirë në tokë dhe që ishte mbuluar me gjak”, shprehet Ersi, nxënësi i klasës së tetë. Më pas ai tregon se kishte qenë shumë pranë tij në momentin kur po debatonte me shokun e tij të klasës, por si sherr i momentit mes nxënësve as që e ka menduar se çfarë do ndodhte më tej. Për adoleshentin ishte hera e parë që shihte një njeri të plagosur dhe ishte mjaft i tronditur.

Drejtoresha: Nuk ka kontrolle për armë
TIRANE - Sapo është njoftuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në oborrin e shkollës “Bajram Curri”, drejtoresha Marie Korriku ka urdhëruar ndërprerjen e mësimit. Ajo gjatë gjithë kohës ka qëndruar bashkë me prindërit e djalit të plagosur në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”. “Sapo jam kthyer nga spitali, ku nxënësi i plagosur kishte dalë nga kirurgjia dhe gjendja e tij shëndetësore e mirë. Ai tashmë ndodhet nën kujdesin e prindërve”, është shprehur drejtoresha Korriku, në momentin kur është kthyer nga spitali. Ajo tha se mësuesit e shkollës nuk mund të kontrollojnë çdo nxënës nëse kanë sende të ndaluara me vete. “Nxënësi kishte me vete një armë të ftohtë, që normalisht nuk duhet të ndodhë, por ne nuk kemi kontroll. Ne nuk mund të kontrollojmë vetë çdo fëmijë që është nxënës i kësaj shkolle. Është mohim i një të drejte të këtyre nxënësve, nëse ne do t’ua kontrollonim çantat e tyre çdo ditë”. Drejtoresha tha se mësuesit vetëm mund t’i ndërgjegjësojnë nxënësit që të mos mbajnë me vete armë të tilla dhe të mos kryejnë veprime si ai që ndodhi sot, sepse janë me rrezik. Korriku tha se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës, në oborr, gjatë orarit të pushimit. Drejtuesja e shkollës ka ngritur si problem shqetësues edhe faktin se në shkollën që ajo drejton nuk qëndron asnjë polic rendi. Sipas saj, edhe roja që qëndron te porta e shkollës është privat, që paguhet nga shkolla. Ndërsa policia e rendit vetëm sa patrullon rreth zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›