Kriza, raporti i Bankës: Po rriten kreditë me probleme
Fabiola Çela
Rritet kredia me probleme. Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit mars kredia me probleme ka pësuar rritje, ose e thënë ndryshe është rritur numri i kredimarrësve që kanë vështirësi në pagimin e kësteve të kredisë. Sipas raportit më problematik në pagimin e kësteve të kredisë është biznesi dhe kryesisht për kredinë e marrë në valutë.
Raporti
Sipas raportit të BSH-së, “si rezultat i rritjes së shpejtë të kredive me probleme (+16.8 për qind apo 5.3 miliardë lekë), në kushtet kur portofoli i kredive shfaq rritje modeste (+1.05 për qind), treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit arriti 8.73 për qind, nga 7.55 për qind në fund të muajit mars ’09. Bizneset shfaqen më problematike me kredi me probleme rreth 10.1 për qind të totalit të portofolit të kredive. Ndërkohë, ky tregues për individët përllogaritet rreth 7.3 për qind. Cilësia e portofolit të kredisë sipas monedhave, ndryshe nga zhvillimet e tremujorit të parë të vitit, dallon përkeqësimin më të shpejtë të portofolit në monedhë të huaj, duke tejkaluar nivelin për lekun dhe duke e çuar treguesin në 8.84 për qind, nga 8.5 për qind për kredinë në lekë. Analiza e cilësisë së kredisë sipas degëve të ekonomisë dallon sektorët e “industrisë përpunuese” dhe të “tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, veçanërisht për shkak të cilësisë së dobët të portofolit të kredisë dhënë këtyre sektorëve dhe peshës së konsiderueshme të tyre në ekonomi”. Ndërkohë gjatë këtyre muajve bankat kanë rritur kreditimin në monedhën vendase. Sipas raportit të BSH-së, “kredia në valutë ka rënë me rreth 2.75 miliardë lekë, ose me 0.9 për qind si rrjedhojë e rënies së kredisë në monedhën e përbashkët evropiane (euro) në masën rreth 19 milionë euro, apo rreth 2.5 miliardë lekë, ndërkohë që kredia në USD u rrit rreth 1.4 milionë USD, ose rreth 130 milionë lekë. Kredia në monedhën vendase (lekë) u rrit me rreth 7.1 miliardë lekë ose me 6.2 për qind”.